E Enjte, 5 Nëntor 2026

Turqi, arrin në 25 numri i viktimave, në zonën e dëmtuar mbërrijnë ndihmat

Bilanci i viktimave dhe të plagosurve pas tërmetit të së premtes në Izmir është përkeqësuar edhe më tej. Numri i viktimave ka arritur në 25, ndërsa i të plagosurve në 804 persona, njofton Televizioni Shtetëror Turk TRT. Ekipet e kërkim shpëtimit po vazhdojnë me intensitet punën për të gjetur të mbijetuar, ndërsa ndihmat po shkojnë drejt zonave të dëmtuara.
Presidenti turk Erdoğan tha se qeveria, së bashku me ministrat dhe të gjitha institucionet, po bën të gjitha përpjekjet për të shpëtuar njerëz të cilët kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shembura, si dhe për të ndihmuar të gjithë të prekurit nga tërmeti. “Ne kemi mobilizuar të gjitha mjetet në dispozicion në mënyrë që përpjekjet e shpëtimit të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu dërgoi 48 punonjës, 16 automjete dhe një kuzhinë të lëvizshme e cila ka kapacitetin për të shërbyer mbi 25 mijë persona.
Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) gjithashtu bëri të ditur se 960 çadra, 4.500 batanije dhe 3.672 shtretër u dërguan në rajon.
Gjithashtu u bë e ditur se ndihma emergjente prej 5 milionë lirash turke (rreth 600.000 dollarë) u dërguan në rajon nga Ministria e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›