Turqi, bie zjarr në burg, 13 viktima

Foto ilustruese
Trembëdhjetë të burgosur kanë humbur jetën nga zjarri që ka shpërthyer në një burg në Turqinë juglindore,ndërkohë që disa të tjerë janë plagosur rëndë si rezultat i flakëve. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer pas një rrëmuje të krijuar nga vetë të burgosurit në objektin e provincës Saluirfa, të cilët mendohet se i kanë vënë flakën dyshekëve në shenjë proteste.
Zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë flakët vetëm pas rreth 90 minutash, për shkak të përhapjes së shpejtë që kishin marrë në objektin e vuajtjes së dënimit.
Një nga të burgosurit në këtë ambient është edhe Ibrahim Ajhan, nga Partia Kurde për Paqe dhe Demokraci, por ai nuk ka pësuar lëndime nga incidenti.
17 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)