E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqi, ‘përplasje’ Kosovë-Serbi në konferencën për energjinë

STAMBOLL-Prezenca e shtetit të Kosovës në forume ndërkombëtare vazhdon të mos pranohet ende nga shteti serb. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic ka refuzuar të hyjë në konferencën Forumi Ekonomik për Energji i Detit të Zi , që po zhvillohet në Turqi sapo ka mësuar se në të ndodhet Ministri për Zhvillimi Ekonomik i Kosovës, Besim Beqaj në të, njofton Tanjug.

Mediat serbe thonë se organizatori është detyruar t’i kërkoj Beqajt që ta liroj sallën. “Pas largimit të Beqajt nga salla, Cvetkovic ka hyrë brenda dhe ka mbajtur ligjëratën në Forumin Ekonomik për Energji i Detit të Zi cili çdo vit mbledh liderët e rajonit”, citojnë mediat serbe.

Por, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj mohon të jetë larguar nga salla e Forumit Ekonomik për Energji i Euro-Azisë.

Ai ka thënë për gazetën Express se nuk ka pasur asnjë mospajtim mes tij dhe kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkovic.
“Nuk është e vërtetë asgjë që është thënë në lidhje me prezencën time në këtë forum. Unë kam marrë pjesë në të gjitha takimet e forumit”, ka pohuar Beqaj.

Ai ka pranuar se është e vërtetë që ministri serb Cvetkovic nuk ka hyrë në takimet të cilat ka qenë prezent edhe Beqaj, por ka shtuar se askush nuk i ka kërkuar atij si ministër i Kosovës të largohet nga salla.
“Askush nuk ka kërkuar nga unë që ta lëshoj sallën siç është transmetuar në mediat serbe”, thekson Beqaj.

Forumi Ekonomik për Energji i Detit të Zi është një ngjarje e përvitshme që mbledh liderët e rajonit të diskutojnë për problemet ekonomike dhe të energjisë me të cilat përballet Evropa dhe Azia.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›