E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia: Rusia dhe Irani të bashkohen për paqen në Siri

STAMBOLL- Presidenti turk, Abdullah Gul deklaroi se Rusia dhe Irani së shpejti do ta kuptojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t'i bashkëngjiten përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për largimin nga pushteti të presidentit sirian Bashar al Assad.

Megjithatë Gul pranoi se ekziston një përçarje e madhe në opozitën siriane dhe mungesë gatishmërie për marrjen e pushtetit. "Pa dyshim ky transformim do të kërkojë kohë", theksoi Gul.

Turqia dhe aleatët arabë kritikojnë veton e Rusisë dhe Kinës për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku dënohet përdorimi i fuqisë nga ana e Asadit. "Duhet të presim se deri kur Rusia mund të mbajë peshën e këtij regjimi. Kjo nuk do të zgjasë edhe shumë", shtoi ai.
"Rusia do ta shohë se regjimi sirian e keqpërdor mbështetjen e saj. Ajo do ta mësojë këtë fakt, kur të shohë se armët e saj shfrytëzohen kundër popullit sirian. Kjo është e papranueshme për Rusinë", tha Gul.

(er.nu/mia/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›