E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Hoxha: Padia për arkivin, Fevziu po komprometon prokurorinë

Ilir Hoxha, djali i udhëheqësit komunist Enver Hoxha rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” arsyet e padisë në prokurori për zhdukjen e arkivit personal të babait të tij. “Nga verifikimet që bëri Teuta në AQSH, u vu re se jo vetëm mungonin ditarët familjarë dhe kujtimet e Enver Hoxhës (në dorëshkrim origjinal) por ishin dhënë për shfrytëzim përveç këtyre ditarëve edhe raporte e kartela mjekësore, të cilat nuk jepen as edhe për 150 vjet, pa lejen e familjarëve”, deklaron Hoxha për “GSH”.
A keni dorëzuar në prokurori dhe nga kush është bërë padia?
Po, në datën 27 shkurt, unë dërgova në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, padinë time për zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale të ditarëve dhe kujtimeve të Enver Hoxhës si dhe dhënien për shfrytëzim të dokumenteve dhe filmave për jetën private të Enver Hoxhës nga fondi i tij personal që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Para këtij denoncimi, nëna ime Nexhmije Hoxha, me anë të një deklarate për shtyp, i bëri të njohur opinionit publik këtë humbje të madhe, jo vetëm për familjen e Enver Hoxhës, por edhe për pasurinë dokumentare me vlera kombëtare si pjesë e fondit të AQSH. Për këtë arsye unë bëra denoncim në prokurori. Ne kemi dokumentacionin përkatës që vërteton se dokumentet origjinale si dhe filmat, negativat e materiale të tjera, që pasqyronin jetën private të Enver Hoxhës, janë dorëzuar në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH. Dorëzime të tilla të ditarëve janë bërë dhe direkt nga vetë Enver Hoxha tek sekretari i tij personal Haxhi Kroi i cili i ka dorëzuar në AQP. I gjithë arkivi i PPSH, përfshi këtu dhe gjithë materialin dokumentar që përmenda më lart, u dorëzuan nga Partia Socialiste në Arkivin Qendror të Shtetit duke e konsideruar këtë arkiv, si jo të vetin mbasi kishte ndryshuar emrin nga PPSH në PS. Që nga ajo kohë, ne si familje ishim të bindur se ato ruheshin me të gjitha rregullat dhe ligjet që funksionon AQSH.
Kohët e fundit, vumë re shfrytëzim të tyre në kundërshtim me ligjin, siç ishin dokumentet dhe filmat e shfrytëzuar nga gazetari Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha” si dhe në filmimet që ai transmeton në mediat vizive.
Nga verifikimet që bëri Teuta në AQSH, u vu re se jo vetëm mungonin ditarët familjarë dhe kujtimet e Enver Hoxhës (në dorëshkrim origjinal) por ishin dhënë për shfrytëzim përveç këtyre ditarëve edhe raporte e kartela mjekësore, të cilat nuk jepen as edhe për 150 vjet, pa lejen e familjarëve. Kjo është arsyeja që i jemi drejtuar prokurorisë sepse i përket asaj t’i zgjidhi këto shkelje të ligjit. Prandaj ne nuk akuzojmë persona të veçantë, siç abuzojnë disa gazeta për skupe për tu shitur apo siç del zoti Fevziu me urgjencë i alarmuar nëpër televizione për t’u justifikuar, pa ditur as se kush e ka bërë padinë dhe as përmbajtjen e saj. Bile dhe na thotë që “prokuroria i paska thënë shtypit që nuk do hapet çështje penale”. Se pse duhet ta thoshte ky gazetar që prokuroria ka bërë këtë prononcim kaq me urgjencë, të nesërmen e mbërritjes së padisë kur neve nuk na ka ardhur akoma konfirmimi nga posta që është marrë padia, unë këtë gjë nuk e kuptoj. Me këtë thënie ai komprometon dhe prokurorinë megjithëse unë nuk e besoj se çfarë thotë ai. Gjatë kësaj periudhe, që nga përmbysja e sistemit socialist e deri me tani, është bërë një përbaltje dhe denigrim i figurës së Enver Hoxhës me çdo lloj mjeti propagandistik, në median e shkruar e atë vizive, me dokumente fallco dhe të komentuara sipas pasioneve dhe interesave politike të mbrapshta që u japin nga lart padronet e tyre. Enver Hoxha u çvarros nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke e ndarë nga dëshmorët, për të denigruar luftën nacional çlirimtare, një nga fitoret më të mëdha të popullit tonë ku Enver Hoxha ishte Komandanti i përgjithshëm. Dhe sot e kësaj dite, Enver Hoxhës nuk i kanë dhënë statusin e veteranit të luftës Nacional-Çlirimtare. Bashkëshorten e tij, Nexhmijen, pasi donin ta dënonin me çdo kusht dhe duke mos gjetur dot akuza politike për ta dënuar atë, sajuan akuzën qesharake të “abuzimit” sepse kishte qerasur me kafe ato mijëra njerëz që erdhën për ngushëllim në shtëpi kur vdiq Enver Hoxha, dhe për këtë u dënua me 11 vjet burg, kur të gjitha këto shpenzime, ishin bërë me vendime përkatëse të qeverisë. Populli me të drejtë e quajti “gjyqi i kafeve”. Unë djali i Enver Hoxhës, u dënova me 1 vit burg, vetëm se dhashë një intervistë ku jepja opinionet e mia për babain tim. Me vendosjen e demokracisë, në mënyrë masive i dogjën librat e Enver Hoxhës dhe kjo u bë në bazë të një skenari të orkestruar për të zhdukur veprën e shkruar të tij. Dhe sot ndodhemi para faktit skandaloz që në arkivat shqiptare janë zhdukur dokumentet origjinale të Enver Hoxhës.
Në vazhdën e shkatërrimeve dhe grabitjeve të çdo gjëje që i përket Enver Hoxhës, u vodh edhe biblioteka e tij me 25 000 libra. Unë shtroj pyetjen: Kush e vodhi në një rezidencë shtetërore që ruhej nga Garda e Republikës ?
Po bëhet një propagandë e shfrenuar për denigrimin e figurës së Enver Hoxhës duke përdorur lloj lloj trukesh për falsifikimin e të vërtetave. Serviren dokumente fallco si të shkruara nga Enver Hoxha kur ato nuk janë aspak me shkrimin e tij dhe as të firmosura prej tij, madje këto dokumente vendosen dhe në stendat e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë vazhdë po manipulohen edhe filmat, duke ndërhyrë direkt në shiritat siç ishte ai i mbledhjes së Byrosë Politike të shkurtit 1985 që përpara publikut të shfaqej Enver Hoxha krejt ndryshe nga ai që ka qenë realisht apo siç po përdoren filmat nga jeta private, ku gazetari bën komente me qëllim për të cënuar personalitetin e Enver Hoxhës. Po ju a themi që në ato filma të jetës private, asgjë nuk ka komprometuese, është jeta në familjen e tij, por ato i përkasin familjes dhe mund të transmetohen vetëm me lejen e familjarëve. Këto dhe shumë veprime të tjera që po bëhen e që pa dyshim do vazhdojnë të bëhen, kundër Enver Hoxhës, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, sepse gati 50 vjet i përkasin që ky shtet të jetë udhëhequr me dinjitet nga një lider si Enver Hoxha që punonte për të mirën e atdheut dhe të popullit të tij. Pra, në një fare mënyre janë këto dokumente, këto vepra të shkruara të tij që digjen apo humbasin, ku mund të gjendet e vërteta e historisë, e veprimtarisë, arsyet e marrjes së vendimeve prej tij në krye të Shtetit shqiptar për atë periudhë si për politikën e brendshme ashtu dhe për të jashtmen. Pra, në këtë sens ky dokumentacion është pasuri kombëtare. Por, pavarësisht gjithë këtyre përpjekjeve manipuluese, veprën e Enver Hoxhës nuk e tjetërsojnë dhe për më tepër nuk e shuajnë dot. Vepra e Enver Hoxhës është e dokumentuar në shumë forma, por ajo që është më e rëndësishme është e memorizuar në mendjen dhe zemrën e njerëzve që kanë arritur të kuptojnë se çfarë bëri Enver Hoxha për lirinë e pavarësinë si dhe për transformimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë.
Cili do të jetë hapi tjetër që do të merrni?
Hapi tjetër që do të ndërmarrim do të jetë ai që do t’i drejtohemi organizmave ndërkombëtare ku bëjmë pjesë dhe në mënyrë të veçantë atyre organizatave që AQSH është anëtare dhe ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Keni besim tek prokuroria?
Pa dyshim që kam besim. Vetë fakti që unë i drejtohem asaj, tregon besimin tim ndaj këtij institucioni. Mendoj që, çdo prokurori që do t’i bjeri në dorë ky denoncim për shqyrtim, do të tregojë vëmendjen maksimale sepse kjo është një çështje që nuk do të mbyllet kollaj dhe siç thashë më lart do të marrë rrugë dhe në organizmat jashtë Shqipërisë.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›