Turqia e interesuar të përkrahë zhvillimin e Kosovës

Ministri i Financave Besim Beqaj, priti sot ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë. Songül Ozan, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave.
Ndërsa ministri Beqaj falënderoi popullin dhe shtetin turk për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë, njohjes ndërkombëtare, përkrahjen dhe kontributin në lëmin e ekonomisë dhe financave, ambasadorja Songül Ozan theksoi se Republika e Turqisë ka qenë dhe është thellë e interesuar që ta përkrah zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes investimeve të drejtpërdrejta dhe theksoi se bizneset turke të cilat zhvillojnë biznes në Kosovë i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ambasadorja Ozan tha se Qeveria e vendit të saj, por edhe bizneset, janë të interesuara për të dhënë kontributin e vet në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.
Në takim gjithashtu u bisedua edhe për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik e financiar dhe për një sërë marrëveshjesh të cilat pritet që të finalizohen dhe të nënshkruhen së shpejti ndërmjet dy vendeve./Indeksonline/