E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Turqia i jep Zelensky-t ish-komandantët/ Rusia: Shkelët marrëveshjen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mori nga Turqia në atdheun e tyre pesë komandantët e zënë rob nga Rusia gjatë luftës brutale në qytetin e Mariupolit në fillim të luftës. Komandantët, të cilët në Ukrainë cilësohen si heronj, udhëhoqën vitin e kaluar luftimet për mbrojtjen e portit të Mariupolit, qyteti më i madh që rusët kanë vënë nën kontroll gjatë agresionit të tyre.

Komandanti i batalionit Azov, Denys Prokopenko, gjatë një konference për shtyp, pas kthimit të tyre në Ukrainë, tha se ata të gjithë synojnë të kthehen në front dhe se do të bëjnë “çdo gjë të mundshme për t’i dhënë fund luftës”.  

Rusia ndërkohë u përgjigj me zemërim, duke thënë se Kremlini nuk ishte i informuar për lirimin e komandantëve dhe tha se lëvizja shkelte një marrëveshje me Ankaranë që ata të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës.

Udhëheqësit turq ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë, ndërsa as Zelensky nuk ka dhënë shpjegime pse u lejuan të largoheshin nga Turqia në kundërshtim me marrëveshjen e arritur. Zelensky u takua të shtunën me presidnetin turk Erdogan, i cili tha se Ukraina meritonte të anëtarësohej në NATO, por gjithashtu kërkoi nga Kievi të nisë bisedimet e paqes me Moskën.

Erdogan tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin muajin e ardhshëm do të bëjë vizitën e tij të parë në Turqi që kur Kremlini filloi pushtimin e tij në Ukrainë dhe se do të diskutonin edhe shkëmbimin e të burgosurve me liderin rus.

Gazetar: A.Mata          

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›