Turqia ja “mësyn” Afrikës

Kur zëvendës-kryeministri turk, Bekir Bozdag, fluturoi në fillim të muajit mars në Mogadishu me një aeroplan të linjës ajrore turke, u pa se kjo ishte një punë e menduar mirë nga grupi i njerëzve që merren me marrëdhëniet publike. 20 vjet me radhë në kryeqytetin e Somalisë të tronditur nga luftërat, nuk ishte ulur asnjë aeroplan i linjave ajrore me reputacion. Tani shoqëria ajrore turke fluturon dy herë në javë.
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pati shkuar që në gusht të vitit 2011 në një vizitë në Somali, i shoqëruar nga një delegacion tregtar të rangut të lartë. Që prej asaj kohe, Turqia ka hapur në Somali një ambasadë, ka ngritur një aeroport dhe i ka dhënë bursa somalezëve të rinj.
Me lëvizje të lehta, por jo të paqëllimshme, Turqia e udhëhequr nga partia e Erdoganit, AKP, i është drejtuar tregut afrikan. Sinjali i parë për ofensivën diplomatike filloi sigurisht në vitin 1998, me formulimin e një politike të re ndaj Afrikës. "Viti afrikan" i organizuar më 2005 u pasua nga vizita e parë shtetërore e një kryeministri turk në Afrikën Jugore dhe Etiopi dhe njohjen nga Turqia të Unionit Afrikan (AU), ku Turqia ka status vëzhguesi.
Gero Erdmann, ekspert për Afrikën në Institutin për studimet globale dhe rajonale (GIGA), e vendos përkushtimin e Ankarasë ndaj Afrikës më herët, me "riorientimin e politikës turke pas përfundimit të Luftës së Ftohtë".
Ndërkohë, Turqia ka hapur 15 ambasada në Afrikë, thotë Erdman, në studimin e publikuar për këtë temë. Në shumë vende Turqia ka hapur shkolla private dhe oferta shkollimi për imamët afrikanë, të cilët arsimohen me një islamizëm të iluminuar nga autoritetet shtetërore për çështjet fetare, Diyanet. Afrika është sot në Ankara çështje e nivelit të lartë. Prandaj ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, kujdeset personalisht për politikën e vendit të tij ndaj Afrikës.
Në vitet 90-ta, ai ishte ende akademik kur përpunoi një dokument strategjik, siç tregon Dr. Gulistan Gurbey, docente private në Institutin Otto-Suhr të Universitetit të Lirë të Berlinit. Koncepti për "thellësinë strategjike", prezanton sipas Gurbeyt, kthim në të kaluarën osmane dhe një identitet kulturor fetar mysliman. "Politika e jashtme është ngritur mbi këtë koncept të gjeopolitikës, Turqia e sheh veten sot si vend qendror në mes të disa kontinenteve", thotë docentja.
Interesimi i ri ndaj Afrikës pasqyrohet edhe në statistikat e tregtisë. Me ofensivën afrikane të qeverisë së AKP-së, volumi tregtar turko- afrikan është pesëfishuar nga viti 2002 deri në vitin 2011, megjithëse duhet pasur parasysh se është filluar nga një nivel shumë i ulët. Objektiva të investuesve turqë janë kryesisht projektet në infrastrukturë dhe sektorin e ndërtimit, si për shembull në Etiopi dhe Sudan, ose sektorin e tekstilit dhe përpunimit të lëndëve ushqimorë, si për shembull në Afrikën e Jugut. Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, Turqia ndjek interesa strategjike para se të fillojë me politikën e burimeve të lëndëve të para, siç thotë Gero Erdmann nga GIGA. "Turqia kërkon në Afrikë fillimisht të mbledhë vota për veten në Kombet e Bashkuara, ku dëshiron të ketë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit," thotë Erdmann. Në vartësi të tyre janë interesat ekonomike, të cilat orientohen tani jo dhe aq tek lëndët e para dhe burimet energjetike, se sa tek përfshirja e tregjeve për prodhimet turke.
Në praktikë strategjia për të fituar përkrahjen e shteteve afrikane në organizmat ndërkombëtare shihet në politikën shumë të dukshme të zhvillimit, si për shembll gjatë thatësirës në Somali.
Orientimi i ri i qeverisë turke për Afrikën (po ashtu si dhe për Lindjen e Mesme) ka hasur kritika në vetë Turqinë, si dhe në pjesë të tjera të Evropës. Politikanë liberalë dhe studiues përplasen me orientime pro-arabe, islamiste dhe synime neo-osmane. Vëzhgues të tjerë akuzojnë se pikërisht ai vend që kritikohet shumë në kuadër të aplikimit për tu bërë anëtar i BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut, shtypjes së lirisë së fesë dhe mosrespektimit të shtetit ligjor, prezantohet në Afrikë si mbrojtës i të drejtave të njeriut, si për shembull në Konferencën për Afrikën të zhvilluar në Stamboll më 2011.
Kurse studiuesi i GIGA-s, Erdmann, thekson se mungesa e një historie të përbashkët kolonialiste të Turqisë, e cila shfaqet si fuqi ndërmjetësuese dhe jo si aktor në konkurrencën për burimet afrikane, e bën Turqinë partner atraktiv për Afrikën.
(DW)