Haradinaj kthehet në Hagë, sot e nesër seancat e fundit

Ramush Haradinaj
Sot dhe nesër Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të mbajë seancat e fundit për çështjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzohet me dy bashkëpunëtorë të tij për krime lufte. Mediat në Kosovë shkruajnë se Haradinaj, njëkohësisht lider i AAK-së, u rikthye të premten në Hagë për të ndjekur dy seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër tij dhe dy ish-bashkëluftëtarëve, (mbahen më 25 dhe 26 qershor), ku pritet fjala e fundit e Prokurorisë dhe Mbrojtjes. Pas kësaj, gjykata do të marrë dy muaj kohë për të shpallur vendimin përfundimtar për këtë çështje. Nuk ka asnjë informacion nëse gjatë kësaj kohe Haradinaj do të kthehet sërish në Kosovë. Vendimi mbi çështjen e Haradinaj, një çështje që hyri në histori në Gjykatën e Hagës pasi u shqyrtua për herë të dytë si asnjë rast tjetër, pritet të shpallet në muajin shtator, ose më herët, në fund të gushtit. Haradinaj ka qëndruar për disa javë në Kosovë me familjen e tij. Më 10 maj, Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi vendosi ta lirojë përkohësisht atë, por kjo ndodhi nën masa të rrepta sigurie. Prej më shumë se gjashtë javësh, Haradinaj u shoqërua nga Policia e Kosovës dhe EULEX-it, duke pasur lëvizje të kufizuara dhe duke mos kryer asnjë aktivitet politik apo paraqitje publike.