E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia në kërkim të mrekullisë

Deklaratat, premtimet dhe gjithçka do të marrin fund sot në orën 20:45, kur gjyqtari Masimo Busaka do të nisë takimin e parë gjysmëfinal të Euro 2008 mes Gjermanisë e Turqisë. Skuadra e Fatih Terim është shumë në vështirësi, pasi do të ketë vetëm 14 lojtarë në dispozicion, përfshi këtu edhe portierin e tretë që, siç është folur edhe në ditët e fundit, mund të përdoret edhe në pozicione të tjera nëse do të jetë e nevojshme. Për turqit do të mungojnë katër lojtarë të pezulluar (Volkan, Emre Ashik, Tunçai Sanlli dhe Arda Turan), ndërsa të dëmtuar janë Nihat Kahfexhi, Servet Çetin, Metin, Emre Bellozollu dhe Emre Gungor. Terim duket se do të përdorë skemën 4-2-3-1 me Mehmet Aurelion dhe Mehmet Topallin përpara mbrojtjes. Ndërsa në mesfushë mund të jetë Qazim Qazim dhe Karadeniz. Në sulm i vetëm do të jetë heroi ndaj kroatëve, Semih Sençyrk. Pas tri përmbysjeve të rezultateve ndaj Zvicrës, Çekisë dhe Kroacisë, Turqia do të provojë të vërë në vështirësi edhe kombëtaren gjermane të drejtuar nga Joakim Lëv. Trajneri gjerman vjen në këtë gjysmëfinale me dyshimin e vetëm që ka për aktivizimin e Torsten Frings, të cilin mund edhe ta ruajë për finalen e mundshme. Në stërvitjen e fundit të zhvilluar me dyer të mbyllura, Lëv ka provuar skemën 4-2-3-1. Njëra me Frings në krah të Rolfes, ndërsa tjetrën me Hitzsperger, në vend të Frings. Por, gjithsesi, trajneri do të vendosë vetëm në minutat e fundit, duke mos dashur të bëjë të ditur asgjë rreth formacionit. Lëv në të kaluarën ka drejtuar edhe dy ekipe turke, si Fenerbaçe dhe Adanaspor, dhe mund të thuhet se e njeh disi futbollin turk. 

Por në ndryshim nga ndeshjet e tjera, ajo ndaj Turqisë duket se ka qenë më e qetë nga ana mediatike për kombëtaren gjermane. Por nuk duhet harruar se në fund të ndeshjes mund të ketë edhe incidente, pasi në Gjermani ka shumë emigrantë turq, të cilët në rast të një fitoreje, do të dalin në rrugë për të festuar. Gjithsesi, gjithçka duhet shijuar në fushën e lojës, pasi në të gjitha ndeshjet e saj Turqia ka dhuruar gjithmonë surpriza, dhe ndaj gjermanëve ata as që nuk mendojnë t’i privojnë tifozët nga të tilla emocione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›