Shefer: Ndarja e Kosovës nuk është një zgjidhje

Ndarja territoriale e Kosovës është e papranueshme dhe aspak një zgjidhje. Ishte kjo deklarata e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, gjatë vizitës që zhvilloi dje në Prishtinë. Kjo ishte vizita e parë e shefit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, qëkur Kosova shpalli pavarësinë në 17 shkurt të këtij viti. Shefer u takua me liderët e Kosovës dhe zyrtarë të KFOR-it, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend që pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re. Procesi shënoi kalimin e përgjegjësive kyçe nga administrata e Kombeve të Bashkuara tek qeveria e Prishtinës, ndërsa po përgatitet terreni për ardhjen e misionit të ri të BE-së, EULEX. Shefer foli kundër planeve të komunitetit serb, i cili ende refuzon të njohë autoritetin e Prishtinës dhe sa vjen dhe më shumë forcon mekanizmat e veta paralele për qeverisjen e zonave me shumicë serbe. “Çdo lloj ndarje nuk është një opsion”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke theksuar se mandati i KFOR-it është rregulluar nëpërmjet rezolutës së OKB-së dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë edhe në të ardhmen, për të siguruar paqen në shtetin e ri. Shefer konfirmoi gjithashtu lajmin, se NATO-ja do të përfshihet në trajnimin e Forcës së re të Sigurisë së Kosovës, e cila do të krijohet si një ushtri kombëtare zëvendësuese. “Është në interes të Kosovës dhe të të gjithë kosovarëve të kenë një forcë sigurie”, - tha ai, duke shpjeguar se FSK-ja nuk do të jetë një ushtri, por thjesht një forcë sigurie. Megjithatë, Shefer pranoi se NATO-ja vendosi të vazhdojë me planet për trajnimin e kësaj force, pavarësisht se një pjesë shtetesh nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. NATO-ja, trupat e së cilës zbarkuan në Kosovë që në vitin 1999, pas konfliktit me forcat ushtarake serbe, aktualisht ka 15 mijë trupa paqeruajtëse në terren dhe mbetet forca kryesore e sigurisë në kuadrin e KFOR-it.