Sigurimi me detyrim jo vetëm për makinat

Sigurimet me detyrim në sektorin e transportit nuk do të jenë më vetëm për dëmshpërblimin dëmeve të mjeteve motorike. Për të herë të parë në vendin tonë, kompanitë e transportit do të dëmshpërblejnë pasagjerët në rast se ata pësojnë aksident gjatë udhëtimit. Projektligji i sigurimit të detyrueshëm i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, zgjeron gamën e sigurimit të detyrueshëm edhe për produkte të tjera në sektorin e transportit. Pra, e thënë ndryshe, për herë të parë në vendin tonë do të përfshihet sigurimi i detyrueshëm për aksidentet që u shkaktohen pasagjerëve, të cilët udhëtojnë në linjat e transportit publik, duke nisur nga autobusët urbanë, interurbanë dhe ndërkombëtarë të transportit të punëtorëve, taksive, mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore qoftë për qëllim transporti apo turistik, avionëve, si dhe mjeteve të transportit mbi shina dhe teleferikë etj. Por nuk mjafton vetëm kjo. Kompanitë e transportit në rast aksidenti do të paguajnë dëmin edhe për shkatërrimin e pronës apo pasurisë së patundshme. Projektligji në fjalë sjell kontratat e reja të sigurimit që pasagjerët përfitojnë edhe në rastet e aksidenteve dhe dëmtimeve nga shkaqe natyrore, por jo vetëm, të cilat ndodhin pa përgjegjësinë e drejtuesit apo pronarit të mjetit të transportit. Sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet është një kontratë e veçantë, e ndryshme nga kontrata e sigurimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta që rezulton nga përdorimi i mjetit të transportit.
Përfitimi i dëmshpërblimit
Në drejtim të përmirësimit të trajtimit të dëmeve të mbuluara nga kontratat e sigurimit të detyrueshëm, por edhe të përmirësimit të shërbimit ndaj konsumatorit, projektligji sjell disa risi. Projekti për zgjerimin e rrjetit të sigurimeve është shoqëruar dhe me përcaktimin e tarifave që do t’iu paguhen pasagjerëve. Po ashtu, projekti i ri fillimisht ridimensionon të drejtat e palës së dëmtuar për të kërkuar dëmshpërblimin. Sipas projektit të ri, për të drejtuar kërkesën për dëmshpërblim tek siguruesi i shkaktarit të dëmit, është parashikuar si mundësi edhe kërkesa për dëmshpërblim tek siguruesi me të cilin është lidhur kontrata e sigurimit të detyrueshëm (siguruesi i drejtpërdrejtë). Po ashtu, parashikohet mundësia për trajtimin e dëmeve nga siguruesi i drejtpërdrejtë, që është një skemë dëmshpërblimi, e cila zbatohet vetëm kur ka aksidente ndërmjet dy ose më shumë mjeteve motorike me kontratë sigurimi të detyrueshme, si dhe kur ka marrëveshje ndërmjet shoqërive për zbatimin e kësaj skeme. Po ashtu, projekti qartëson llojet e dëmeve që mbulon kontrata e sigurimit të detyrueshëm në dëme pasurore dhe shëndetësore, por edhe të dëmeve që i shkaktohen integritetit fizik dhe psikologjik të palës së dëmtuar (i ashtuquajtur dëm moral). Parashikohen gjithashtu procedurat e trajtimit të dëmeve, duke vendosur detyrime dhe afate ndaj siguruesit në funksion të mbrojtjes së të drejtës konsumatore.
Si modeli kroat
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për hartimin e këtij projekti janë marrë parasysh modelet e sigurimit të detyrueshëm të disa vendeve, si Kroacia dhe Bullgaria. Mbështetja në kuadrin ligjor të Kroacisë ka pasur si qëllim standardizimin e legjislacionit vendas me atë të vendeve fqinje, me problematika të ngjashme të tregjeve financiare. Edhe ligje të tjera vendase, të cilat rregullojnë tregjet financiare, janë bazuar në modelet përkatëse kroate.
Tarifat që do të mbulohen nga kontrata e sigurimit
1. Për dëme të vdekjes, dëme shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit që vijnë nga një rast:
- për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë
- për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë
- për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 50 000 000 lekë
2. Për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një rast:
- për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 15 000 000 lekë
- për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme 20 000 000 lekë
- për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 10 000 000 lekë
3. Për dëmtime të integritetit psikologjik 5 000 000 lekë