Turqia në skanerin e statistikave

Turqia në katër ndeshjet e zhvilluara deri tani ka regjistruar 2 fitore e një humbje (në grup) dhe një barazim në cerekfinale (të fituar më pas me penallti kundër Kroacisë). Në katër ndeshje Turqia ka shënuar 6 gola dhe ka pësuar po 6 gola. Interesant është një fakt se 6 golat e realizuar në Euro 2008 mbajnë firmat e tre lojtarëve që kanë shënuar secili nga dy gola: Nihat Kahveci, Semih Shenturk dhe Arda Turan. Nga 6 golat e pësuar, Volkan Demirel ka pësuar 5 gola dhe Rushtu Reshber ka pësuar 1 gol.
Më shumë ndeshje ndërkombëtare
Lojtari më me eksperiencë ndërkombëtare nga ekipi turk është portieri Rushtu Reshber me 117 ndeshje ndërkombëtare. 35-vjecari, i cili ishte "tradhtari" e më pas heroi i kualifikimit historik të Turqisë në gjysmëfinale, luajti kundër Kroacisë në vend të portierit të parë Volkan Demirel (24 ndeshje me përfaqësuesen), pasi ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Cekinë. Rushtu, një hero i Turqisë në Kupën e Botës 2002 (vendi i tretë) do të luajë kundër Gjermanisë. Rushtu luan aktualisht për Beshiktashin, por ka mbrojtur edhe portën e Barcelonës (4 ndeshje, sezoni 2003-2004). Rushtu është përfshirë nga Pele në listën e 125 lojtarëve aktivë më të mirë në botë.
Golashënuesi më i mirë
Kapiteni Nihat Kahveci (luan me Vijarealin në Spanjë) është edhe lojtari që ka shënuar më shumë gola nga ekipi aktual i Turqisë: 17 gola, në 59 ndeshje. I dyti për nga numri i golave vjen Tuncaj Sanli, mesfushori i Midëllsbrout në Angli. Tuncaj ka shënuar 15 gola në 28 ndeshje.
Me kombësi të dyfishtë
Turqia ka pesë lojtarë me kombësi të dyfishtë nga 23 lojtarë të skuadrës së Euro 2008-s. Hamit Altintop ka lindur në Gjermani (luan për Bajernin e Munihut), Hakan ka lindur gjithashtu në Gjermani. Kazim-Ricard apo Kazim-Kazim ka dhe nënshtetësi angleze. Mehmet Aurelio është një lojtar brazilian i natyralizuar si turk. Sulmuesi Mevlut Erdinc ka lindur në Francë dhe luan atje për Soshonë.
Turqia në Europiane
Francë 1960 Nuk u kualifikua
Spanjë 1964 Nuk u kualifikua
Itali 1968 Nuk u kualifikua
Belgjikë 1972 Nuk u kualifikua
Jugosllavi 1976 Nuk u kualifikua
Itali 1980 Nuk u kualifikua
Francë 1984 Nuk u kualifikua
Gjermani 1988 Nuk u kualifikua
Suedi 1982 Nuk u kualifikua
Angli 1996 Raundi i parë
Belgj.-Hol.2000 Cerekfinale
Portugali 2004 Nuk u kualifikua
Aus.-Zvic. 2008 Gjysmëfinale
Totali: 3 pjesëmarrje
Turqia në Euro 2008
Gola të shënuar: 6
Gola të pësuar: 6
Gjuajtje në total: 44
Goditje nga këndi: 18
Kartonë të verdhë: 14
Pasa në total: 1725
Pasa të kompletuar: 70%