Bufon: “E shitëm shtrenjtë lëkurën”

"Futbolli jep e merr. Në Botëror u dhurova gëzim, tani në Euro erdhi zhgënjimi". Portieri i Italisë, Xhanluixhi Bufon nuk e fsheh trishtimin pas eliminimit nga Europiani. Kapiteni "axurr" reagon në mënyrë filozofike. "Gjëja më e mirë ishte, që në fund të fundit nuk u larguam si të mundur. E shesim gjithmonë shtrenjtë lëkurën". Bufon ishte një ndër lojtarët më të mirë të Italisë në Euro 2008. Në lidhje me të ardhmen e trajnerit Roberto Donadoni, Bufon tha: "Vendimi nuk më përket mua. Unë duhet të kem krenari të vesh bluzën e Kombëtares dhe të mbroj ngjyrat e Vendit tim". Italia u largua nga Europiani pas humbjes 4-2 nga gjuajtjet e penalltive me Spanjën. Bufon priti një penallti.