Turqia qytetarëve: Largohuni nga Siria

Turqia i drejtoi një thirrje zyrtare qytetarëve të saj që të largohen nga Siria, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit në vendin fqinj e kanë “bërë shumë të vështirë ruajtjen e sigurisë dhe integritetit të tyre”.
Nëpërmjet një deklarate të publikuar ditën e premte, Ministria e Jashtme informoi se disa shërbime konsullore do të anullohen duke nisur nga data 22 mars.
Ndërkohë, kryeministri Tayyip Erdogan sugjeroi krijimin e një zone të sigurt pranë kufirit, ku numri i refugjatëve është rritur në mënyrë të konsiderueshme në ditët e fundit.
Një pakicë e vogël turke jeton në veriun e Sirisë. Deklarata e Ankarasë zyrtare vjen në përvjetorin e nisjes së kryengritjes, në të cilën kanë mbetur të vrarë mbi 8 mijë persona.