E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia tërheq veton, Rasmusen zgjidhet kreu i ri i NATO

Merkel: “Turqisë i bëmë të ditur se jemi gati të hapim një kapitull të ri”. Udhëheqësit përshëndetën strategjinë e Obamës për më shumë trupa në Afganistan

Blerina Olldashi
Në krye të NATO-s tashmë do të jetë kryeministri danez, Forg Rasmusen. 28 vendet anëtare të Aleancës ranë dakord që Rasmusen të jetë pasardhësi i sekretarit Jap de hop Shefer dhe lajmin për mediat e bënë të ditur presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një konference për shtyp, pas punimeve të Samitit, që u zhvilluan në Strasburg të Francës.
“Desha t’i uroja sekretarit të ri suksese në punën e tij. Jam e lumtur që punimet e Samitit shkuan mirë”, - u shpreh kancelarja gjermane, Merkel. Ajo e konsideroi një detyrë të rëndësishme marrëveshjen për zgjedhjen e kandidatit të ri, pasi shumë prej anëtarëve të NATO-s ishin të vendosur që të kishin kryeministrin danez si sekretarin e ri. E vetmja që e kundërshtonte këtë kandidaturë ishte Turqia. “Ne folëm me presidentin turk, madje edhe me kryeministrin, dhe nuk deshëm të përballeshim me konflikte. Tashmë është bërë e qartë se ne ishim gati të hapnim një kapitull të ri”, - u shpreh Merkel.
Në lidhje me këtë çështje, presidenti Sarkozi deklaroi se është e mundur të ketë mosmarrëveshje në këto raste, pasi NATO-ja është një familje e madhe. “Megjithatë, koha e dyshimeve ka mbaruar, sepse tani duhet të mendojmë për krizën ekonomike dhe angazhimin tonë në Afganistan”, - tha presidenti francez, Sarkozi. Ndërkohë, autoritetet që morën pjesë në Samit përshëndetën strategjinë e presidentit amerikan, Barak Obama. Ata premtuan mbështetje për të kaluar sfidat që paraqet Afganistani. Franca dhe Gjermania ishin dy vendet që dhanë mbështetjen e plotë për strategjinë e re në Afganistan, por vazhduan t’u rezistojnë vendosmërisht kërkesave amerikane për më shumë trupa sot. Presidenti Obama u tha udhëheqësve të NATO-s se Aleanca duhet të mbetet e hapur për anëtarë të rinj, një tjetër qëndrim që mund të hasë rezistencë nga aleatët. Gjermania, Franca dhe shumë vende të tjera të NATO-s besojnë se zgjerimi i mëtejshëm drejt Lindjes do të dëmtojë më tej marrëdhëniet me Rusinë, të cilat Aleanca po përpiqet me vështirësi t'i përmirësojë. Presidenti francez, Nikola Sarkozi, tha se NATO-ja nuk mund ta përballojë një dështim në Afganistan, ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se situata ishte një test për të gjithë. Për sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Shefer, Afganistani ishte misioni më ambicioz i NATO-s. Ai solli si shembull faktin se 60 vitet e kaluara NATO-ja kontribuoi për një periudhë të pazakontë paqeje dhe prosperiteti për të gjithë qytetaret. Strategjia e re e Obamës konsiston në dërgimin e më shumë trupave në Afganistan, të shoqëruar nga më shumë fonde dhe këshilltarë. Me këtë platformë Obama garoi gjatë fushatës për president. Kjo duket se do të jetë një nga sfidat e reja më të mëdha të NATO-s në këtë përvjetor të 60-të të krijimit të Aleancës.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›