E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta dhe tensione në Strasburg kundër Samitit të NATO-s



Protesta të dhunshme janë zhvilluar dje në Strasburg mes forcave të policisë dhe protestuesve antiglobalistë, të cilët i vunë flakën qendrës së qytetit. Si pasojë e këtyre konfrontimeve mbetën të plagosur 20 persona, ndërsa 27 të tjerë janë ndaluar nga policia. Më pas manifestimi kundër Samitit të 60-vjetorit të NATO-s u spostua përgjatë brigjeve të lumit Rehn, ku u regjistruan disa incidente të vogla. Policia u mundua të shpërndante me gaz lotsjellës mijëra protestuesit që u grumbulluan pranë godinës së Pallatit të Muzikës, ku u mbajt Samiti. Në zonë mbizotëruan imazhe kaosi me flakë, tym dhe përleshje mes policisë dhe protestuesve. Afrimi i protestuesve në qendrën historike të Strasburgut anuloi edhe vizitën e zonjave të para. Protestat nisën që në orët e para të mëngjesit, kur mijëra protestues, të veshur me të zeza, nisën marshimin drejt qendrës së Strasburgut.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›