E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqit në duel me rumunët për Veliun

Franc Veliu është bërë mollë sherri mes klubit turk te Rizesporit dhe rumunëve të Dinamos së Bukureshtit. Nga të dyja kampet është njoftuar dje se qendërmbrojtësi i talentuar i Flamurtarit ka rënë parimisht dakord me ofertat e dy skuadrave, por mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë realisht futbollisti në të ardhmen. Pak ditë më parë firmosi ish-shoku i tij i skuadrës, Hair Zeqiri. Mesfushori nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me klubin turk dhe duket se është bërë shkes edhe për Franc Veliun. Skuadra turke, e cila militon në Kategorinë e Dytë, e ka joshur futbollistin jo vetëm me një kontratë të majme financiare, por edhe me faktin se do të ketë të garantuar vendin e titullarit. Ky është një kusht i rëndësishëm për 23-vjeçarin, i cili edhe më parë ka pasur oferta nga klube të mira. Sulejman Demollari i qe lutur Franc Veliut që ta merrte seriozisht ofertën e bërë nga gjigantët rumunë. Skauti shqiptar i Dinamos së Bukureshtit tentoi që ta bindte Veliun të ndiqte gjurmët e Bakajt se nuk do të pendohej. Ky i fundit, pas disa hezitimesh, e refuzoi ofertën duke kërkuar një rrogë tepër të lartë (afro 18 mijë euro në muaj dhe duke kërkuar garanci për vendin e titullarit. Në këto kushte, bisedimet e para dy muajve u zbehën, por Dinamo e Bukureshtit është hedhur sërish në sulm për shqiptarin, tani me një tjetër ofertë financiare (sërish më e ulët se 18 mijë euro në muaj) dhe duke i dhënë më shuam garanci për të luajtur rregullisht në ekip. Media rumune e bën fakt të kryer kalimin e Veliut në Rumani, madje ka dalë në përfundimin se lojtari e ka prishur kontratën me klubin e Flamurtarit dhe se do të firmosë në Rumani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›