E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqit premtojnë hapjen e një fabrike të këpucëve në Gjilan

Gjilan, 8 gusht - Delegacioni i disa komunave turke, i cili ka vizituar Gjilanin, është shprehur i gatshëm për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe për ta hapur një fabrikë të këpucëve dhe ndonjë repart të industrisë së tekstilit.  
Kryetari mi Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se duke e marrë parasysh se Gjilani është një lloj qendre e Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, ky qytet është një pikë referuese e më se 500 mijë banorëve, prandaj Qeveria e Kosovës është orientuar që këtu të hap një universitet publik që nga viti i ardhshëm, duke iu dhënë mundësi zhvillimit më të shpejtë edhe rajoneve.
Mustafa ka thënë se Gjilani kishte dikur një ekonomi relativisht të zhvilluar, ku dominonte industria e tekstilit, duhanit, baterive, radiatorëve, metaleve dhe profileve të tjera, por ajo u shkatërrua gjatë viteve të regjimit okupues dhe më vonë, në atë gjendje që ishte sjellë, nuk arriti t`iu përballojë ligjeve të tregut të lirë.
Ndërsa, ka shtuar Mustafa, komunat, përfshirë edhe Gjilanin, janë në fazën e përcaktimit të zonave industriale, në mënyrë që investitorëve t`iu krijohet infrastruktura dhe kushtet tjera të nevojshme për investime, ka theksuar kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa, derisa e ka potencuar edhe ndihmën e Komisionit Evropian në segmentin e hartimit të strategjisë zhvillimore.
Komunat turke, pjesë e këtij delegacioni, kanë një traditë të gjatë në prodhimin e tekstilit, këpucëve dhe rrushit.
Ndërkaq, Ahmet Bakertash, kryesues i delegacionit të komunave turke, njëherësh kryetar i komunës Jeshiljuva, ka premtuar se do të organizojnë në Turqi, sapo të kthehem, një takim me afaristë të atjeshëm, për t`i nxitur ata që të investojnë në komunën e Gjilanit. “Ne dëshirojmë ta ndihmojmë zhvillimin e komunave të këtushme, pa interes dhe jemi të gatshëm të fillojmë menjëherë”, kanë thënë përfaqësuesit e këtij delegacioni.
Ndërkohë, ai ofroi gatishmërinë që t`i marrë 10 deri në 15 gjilanas për t`i aftësuar në fabrikën e këpucëve, ofertë kjo që është mirëpritur nga kreu i Gjilanit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›