E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema për bizneset agropërpunuese

Dyfishimi i eksporteve nga bizneset e mëdha të agroindustrisë janë treguesi mundësive reale për të shfrytëzuar potencialet e vendit. Rasti i prodhuesve të vezëve, stabilimenteve të shpendëve, përpunimit të qumështit janë një ftesë edhe për sektorët e tjerë të agropërpunimit, për të cilët shteti ka nisur të aplikojë skemat e mbështetjes.

"Një nga pikat që ne kishim është eksporti, që sivjet është dyfishuar, nga 25 mln vezë vitin e kaluar, këtë vit shkon rreth 50-55 mln vezë. Prodhimi është rritur 20 për qind, tregues që na tregojnë që kemi ecur në rrugë të duhur deri tani", tha Sami Gjergji, biznesmen.

"Një komponent i politikave që ne po zhvillojmë si të mbështesim kët sektor. është një sektor që dhe në Europë mbështetet fuqimisht, me instrumenta direkte apo indirekte nga shtetit dhe pa dyshim zgjerimin e investimeve apo te kapacitetit eksportues te tyre kane nevoje të ndihmohen nga këto skema që ne sapo kemi filluar ti aplikojmë, që janë skema e garancisë për kreditimin për investime, apo dhe skema e garancisë për kreditimin për eksport", shprehet Genc Ruli, ministër i Bujqësisë.

Ministri Ruli tha se në këtë vit që në aspektin bujqësor ka qenë i mbarë, skemat e mbështetjes kanë filluar të japin efektet e tyre pozitive. "Pozitivja në ecurinë e sektorit bujqësor dhe për këtë vit është më shumë puna që po bëhet nga vetë fermerët, ndikimi që kanë dhënë skemat e mbështetjes për fermerët, po të mendojmë që sivjet sipërfaqet e mbjella me varietete të ndryshme që financohen direkt nëpërmjet skemës së shtetit pothuajse janë dy herë më të larta se sa vitet e kaluara", vijoi Ruli.

Pas një vizite në njërin prej stabilimebeteve të njohura në vend për prodhimin e vezëve ministri i bujqësisë tha se rritja e standarteve do të mundësojë praninë më të madhe të produkteve shqiptare në tregjet e huaja.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›