E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet në prodhim blloku B 2

Prishtinë, 8 gusht - KEK-u ka njoftuar se  sot është kthyer në prodhim Blloku B2, pas një pune intensive prej 24 orësh të ekipeve të specializuara të KEK-ut për rehabilitimin e tij. Blloku B2 ka startuar në orën 07:00 të së dielës ndërsa është sinkronizuar në orën 13:13 të njëjtës ditë. Kapaciteti i plotë i prodhimit pritet të arrihet pasdite. B2 kishte dalë nga sistemi të shtunën, më 7 gusht, në ora 07:00, për shkak të një defekti teknik në një pjesë të kazanit.
Sipas një komunikate të KEK-ut, për të siguruar furnizim stabil të energjisë elektrike, KEK-u ka siguruar import emergjent të energjisë elektrike deri në 150 MGW, varësisht prej orëve. Kjo është bërë që të mbahet furnizimi me energji elektrike për kategorinë A sipas orarit 24:0 dhe në orët e konsumit të lartë 5:1, për kategorinë B - 4:2/3:3 dhe për kategorinë C - 2:4/1:5.
Aktualisht në prodhim janë blloku A3 me kapacitet 120 MGW dhe A5 me kapacitet 120 MGW.
Duke pasur parasysh se blloku A4 dhe B1 janë në riparim kapital për t’u përgatitur për sezonin e dimrit, nuk ka qenë e mundur që këto blloqe të futen në prodhim.
KEK-u edhe sot ka apeluar të gjithë konsumatorët që të mirëshfrytëzojnë dhe kursejnë  sa më shumë që është e mundur energjinë elektrike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›