E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi,vritet një pjestar i Al Kaeda-s

Policia turke ka njoftuar se një militant i grupit terrorist Al Kaeda është vrarë dhe tre të tjerë janë arrestuar gjatë një operacioni në Stamboll. Oficerë të policisë turke u përleshën me terroristët, teksa këta të fundit po përpiqeshin të grabisnin një zyrë postare. Shefi i policisë së Stambollit Muamer Guler deklaroi se njëri nga militantët e Al Kaedës, gjatë tentativës së grabitjes mbeti i vdekur, ndërsa dy të tjerët u arrestuan pas operacionit policor. Raportohet se njëri nga oficerët e policisë është plagosur lehtë gjatë operacionit. Në të kaluarën, Al Kaeda ka ndërmarrë sulme me bomba në Turqi, ku më i rëndi është ai i vitit 2003, kur militantët islamikë shkaktuan vdekjen e më shumë se 60 personave pas një sërie atentatesh në Stamboll. Pyetjes nëse, në incidentin e zyrës postare ishin të përfshirë pjesëtarë të Al Kaedës, Shefi i policisë Guler iu përgjigj: "Po. Incidenti ndodhi gjatë një operacioni kundër organizatës së Al Kaedës". Ai tha se policia e Stambollit do të jepte informacione edhe më të hollësishme në orët në vazhdim. Ndërkohë, vitin e kaluar, hetuesit turq ngritën akuza ndaj dy të dyshuarve si pjesëtarë të Al Kaedës, për ndërmarrjen e sulmeve në konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Stamboll, që shkaktuan vdekjen e tre oficerëve të policisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›