U-15, miqësore luksi në Greqi
Përfaqësuesja U-15 e drejtuar nga trajneri Sulejman Demollari ka udhëtuar të premten drejt Greqisë, ku do të zhvillojë një turne miqësor. Sot në orën 20:00 kuqezinjtë "e vegjël" do të luajnë përballë skuadrës së para të rinjve të Atromitos Peristeri. Sfidat më prestigjioze janë ato që do të luhen të dielën dhe të hënën. Më datë 20 shtator, talentet e Demollarit do të zbresin në fushë në orën 17:30 kundër bashkëmoshatarëve të Olimpiakosit, ndërsa 24 orë më vonë ata do të luajnë me 15-vjeçarët e Panathinaikosit. Këto tri ndeshje, dy prej të cilave me skuadra të nivelit të lartë në shtetin helen, shërbejnë si përgatitje për turneun kualifikues europian për Lojërat Olimpike Rinore, që do të zhvillohet në muajin tetor. Më parë, Kombëtarja U-15 kishte zhvilluar një turne të ngjashëm edhe në Maqedoni. Nga data 23 deri më 28 gusht, skuadra e krijuar prej pak kohësh zhvilloi gjashtë ndeshje me Shkupin, Ohrin, Strugën dhe Prilepit, ku regjistroi pesë fitore dhe vetëm një barazim.