Hasan Lika, humbja e largon nga stoli
Vllaznia është e dënuar të fitojë në takimin më të rëndësishëm të javës së katërt të Kategorisë Superiore, ku do të luajë në "Loro Boriçi" përballë Dinamos. Starti i keq i sezonit (me dy humbje dhe vetëm një fitore) ka sjellë mjaft pakënaqësi në ambientin shkodran. Gjatë verës, kuqeblutë e drejtuar nga Hasan Lika cilësoheshin si kandidatë potencialë për fitimin e titullit kampion. Megjithatë, fusha e lojës ka treguar të kundërtën. Përballja me blutë duket se do të vendosë edhe fatin e trajnerit Lika: sipas të gjitha gjasave, në rast se Vllaznia bën një tjetër hap fals, ai do të bëhet "kokë turku". Gjithsesi, rezultati negativ me Dinamon e Muçës nuk do të ketë pasoja vetëm te drejtuesi i stolit. Nëse nuk merren tri pikët me kryesuesit do të ndëshkohen edhe lojtarët, me gjoba dhe masa të tjera disiplinore.