U-21 gati per turneun ne Austri

Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Skënder Gega ka publikuar listën me 23 futbollistë, me të cilët skuadra kuqezi do të luajë në turneun e Austrisë. Aktiviteti I përfaqësueses Shpresa do të zhvillohet nga data 21 deri më 25 maj dhe aty kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë takime miqësore me bashkëmoshatarët Ukraina dhe Maqedonia.
Në listën e teknikut Gega nuk kanë munguar surprizat dhe numri i madh i futbollistëve që militojnë në liga të ndryshme jashtë Shqipërisë. Në fakt, vetëm 13 lojtarë aktivizohen në kategoritë e ndryshme vendase, ndërsa Dinamo me tre elementë dhe Tirana, Teuta e Vllaznia me nga dy janë skuadrat më të përfaqësuara.
Gjithashtu për këtë aktivitet janë grumbulluar edhe lojtarë nga Kukësi që arriti ngjitjen historike në elitë, Besa që do të luajë në “play-off” për një vend mes më të mirëve dhe Partizani që fitoi të drejtën të luajë në Kategorinë e parë.
Mes talenteve që luajnë jashtë Shqipërisë, spikat grumbullimi I shqiptarit nga Maqedonia, Gjelbrim Tahipit i Shkëndijës së Tetovës, djali I teknikut të U-19, legjendarit Foto Strakosha, 16-vjeçari Dhimitri Strakosha, një portier me shumë të ardhme e që do të transferohet te Lacio, si edhe katër futbollistë kosovarë, mes të cilëve Leotrim Gashi i Okserit, Mërgim Bajraktari i Tunit dhe Agoni Sallaj i Nojshatel Ksamaksit.