E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perfundon bojkoti ndaj kombetares

Tifozët i kanë dhënë fund bojkotit të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare. Vendimi është marrë pas një takimi të zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit ndërmjet zyrtarëve të këtij institucioni dhe përfaqësuesve të “Tifozave Kuq e Zi”. Në takimin e organizuar janë prekur disa tema mjaft të rëdësishme, të cilat prekin në mënyrë direkte edhe aktivitetin e grupimit më të madh të organizuar të përfaqësueses kuqezi, duke vendosur piketa të rëndësishme për të ardhmen.

Si tifozeria e vetme zyrtare e Kombëtares, ata parashtruan kërkesat e tyre, të cilat janë mirëkuptuar nga FSHF-ja dhe fansave u është premtuar se do të punohet për gjetjen e zgjidhjeve të të gjitha problemeve. Disa nga kërkesat e tifozëve ishin që të përfaqësoheshin në FSHF me të paktën një anëtar, që në mungesë të një impianti në Shqipëri, ndeshjet e Kombëtares të luhen në Shkup apo troje të tjera shqiptare me stadiume të licensuara nga FIFA e UEFA, si edhe lehtësimi i hyrjes në stadium të anëtarëve të këtij grupimi tifozësh.

Gjithashtu janë diskutuar edhe uljet e çmimeve të biletave për ndeshjet e Kombëtareve të moshave, U-17, U-19 dhe U-21, ndërsa kërkesës për nisjen e punës për krijimin e një lige mbarëkombëtare, federate i është përgjigjur se nuk ka kompetenca. Nga ana e tyre, zyrtarët e FSHF-së I kanë kërkuar tifozëve të mos hedhin flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike në fushë, për të cilat Shqipëria ka marrë shpeshherë gjoba të larta nfa FIFA e UEFA. Pas këtij takimi, tifozët vendosën ti japin fund bojkotit 6-mujor të ndeshjeve të përfaqësueses, masë që u mor në nëntor të vitit 2011.

“Tifozat Kuq e Zi” e kanë nisur aktivitetin në dhjetor të vitit 2003 dhe prej asaj periudhe ata kanë rezervuar gjithmonë mbështetje për Kombëtaren shqiptare dhe spektakël në tribuna. Anëtarët e grupimit vijnë nga të katër anët e Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia, Mali e Zi, e madje edhe nga vende të ndryshme europiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›