E Shtunë, 31 Tetor 2026

U D H Ë Z I M PËR MIRATIMIN E PROCEDURËN SË FSHIRJES SË REGJISTRIMEVE TE KRYERA NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN DHE TË ATYRE, QË KRIJOJNË MBIVENDOSJE, NË ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

U D H Ë Z I M

PËR

MIRATIMIN E PROCEDURËN SË FSHIRJES SË REGJISTRIMEVE TE KRYERA NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN DHE TË ATYRE, QË KRIJOJNË MBIVENDOSJE, NË ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

Në mbështetje të pikës 5, të nenit 100, të Kushtetutës, të neneve 115 e vijues, te ligjit nr.8485, datë 12.05.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të neneve 10 e 56, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar,  me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

U DH Ë Z O N :

1.       Miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve :

a)       Në rastet e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe me nenet 192-197 të Kodit Civil, (për regjistrime të kryera pas hyrjes në fuqi të Kodit Civil);

b)       Në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë dy a më shumë regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njeri-tjetri, duke krijuar mbivendosje. Në këtë rast fshihen regjistrimet e kryera, pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil.

2.        Fshirja e regjistrimeve kryhet nga kryeregjistruesi, me kërkesë të regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.8485, datë 12.4.1999,  “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 10, të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e këtij  udhëzimi.

Kryeregjistruesi bën fshirje të regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur për të njëjtën pasuri ka më shumë sesa një regjistrim, pavarësisht faktit se për çdo njërën prej tyre, pas regjistrimit në origjinë (për herë të parë të titullit të pronësisë) janë kryer një apo më shumë transanksione, pjesore apo për të gjithë pronën dhe pavarësisht nëse ndonjëri apo të gjitha këto regjistrime janë të kryera në regjistrat e ish-hipotekës apo regjistrat e krijuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

3.       Identifikimi i rasteve të mësipërme të regjistrimeve bëhet, kryesisht, nga regjistruesi, nga punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, gjatë shqyrtimit apo përpunimit të dokumentacionit, në zbatim te rekomandimeve të dhëna në raportet e kontrollit, të kryera nga organet shtetërore të kontrollit ose me kërkesë të palëve, të cilat preken nga këto regjistrime. Punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurisë janë të detyruar që, çdo herë, që shqyrtojnë dokumentacion, përpunojnë praktika të aplikuara nga shtetasit në sportele, ofrojnë apo kryejnë një shërbim si ato të parashikuara në ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të verifikojnë, nëse për regjistrimin përkatës të pasurisë ekzistojnë kushtet e paligjshmërisë, sipas përcaktimeve të pikave 1 e 2, të këtij udhëzimi. Nëse rezulton një gjë e tillë atëherë çështja i referohet regjistruesit në formë të shkruar duke treguar hollësisht rrethanat dhe shkakun ligjor të paligjshmërisë. Në rast të kundërt, bëhet shënimi përkatës sipas pikës 7, të këtij udhëzimi, ku të tregohet mungesa e mbivendosjeve apo kunderligjshmërisë, data dhe autorësia e kryerjes se verifikimit. Ky shënim bëhet pjesë e dosjes dhe i nënshtrohet verifikimeve eventuale të mëvonshme.

Në rastet kur identifikimi i kundërligjshmërisë bëhet nëpërmjet kërkesës së palëve të interesuara që mund të preken prej saj,  regjistruesi, përveç procedurës së verifikimit, të parashikuar në pikën 4 të këtij udhëzimi, verifikon edhe legjitimitetin e kërkuesit, nëse është titullar i një regjistrimi në cilësinë e pronarit, subjekt shtetëror, që ka në administrim apo pronësi ose avokati i shtetit. Kërkesa paraqitet e shkruar, sipas formularit tip, të miratuar nga kryeregjistruesi.

4.             Në rastet kur regjistruesi është vënë në dijeni, sipas pikës 3, të këtij udhëzimi, dhe ka identifikuar kundërligjshmërinë, sipas pikës 2 të këtij udhëzimi, duhet të kryejë këto veprime:

a)       Verifikon elementet e rastit të vënë re, aktit të regjistrimit/ve të kryer, për efekt të plotësimit të kushteve të regjistrimit, të përcaktuara në ligjin nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në nenet 192-197, të Kodit Civil.

b)       Verifikon në regjistër, evidenton dhe saktëson radhën kronologjike të regjistrimit të pronësive në ZRPP, në varësi nga radha e dorëzimit, të dokumentacionit ligjor në këtë zyrë, për rastet e krijimit të mbivendosjeve, pavarësisht faktit se kur është hartuar apo ka dalë titulli i pronësisë dhe kur janë bërë shënimet në regjistër.

Në vijim regjistruesi kryen veprimet e mëposhtme:

i.                     Saktëson se cili nga regjistrimet, që rezultojnë me mbivendosje është kryer i pari në kohë e që përmbush kërkesat e parashikuara në ligjin nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme “, të ndryshuar dhe në nenet 192-197, të Kodit Civil.

ii.                    Verifikon pjesën ose pjesët e mbivendosura në mënyrë të qartë, si dhe përcakton pjesët, që mbeten pas këtij verifikimi në sipërfaqe dhe kufij.

iii.                  Verifikon nëse për këto regjistrime është duke u zhvilluar ndonjë proces gjyqësor, ku zyra e tij është thirrur si palë. Verifikimi kryhet në protokollin e zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.

Regjistruesi e kryen procesin e verifikimit sipas kësaj pike,  jo më vonë se 30 ditë nga dita e vënies në dijeni, nëpërmjet depozitimit të kërkesës, njoftimit të bërë nga punonjësit e zyrës përkatëse,  konstatimeve të bëra nga organet shtetërore të kontrollit apo nga vetë regjistruesi.

5.    Në përfundim të këtij procesi regjistruesi përgatit vendimin e arsyetuar, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, ku i kërkon kryeregjistruesit, sipas rastit fshirjen, e:

a)       regjistrimit kur vëren se akti i regjistrimit është kryer në kundërshtim me ligjin nr.7843,  datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar dhe/ose me nenet 192-197, të Kodit Civil, për veprime të kryera pas datës 1 nëntor 1994, edhe në rastet kur ai nuk krijon mbivendosje me ndonjë pasuri tjetër.

b)       pjesëve të mbivendosura të pasurisë, në rastin e mbivendosjeve të regjistrimeve të mëvonshme, të cilat nuk rrjedhin nga regjistrimi i kryer i pari në kohë e që përmbush kërkesat e parashikuara në ligjin nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në nenet 192-197, të Kodit Civil, si dhe bën ndarjen e pasurisë, që nuk mbivendoset me të.

c)       çdo regjistrimi tjetër pasardhës, të  cilët rrjedhin prej këtyre regjistrimeve të mëvonshme, të mbivendosura, për atë pjesë që përfshihet në pjesën e mbivendosur sipas shkronjës “a”, deri në eliminimin e çdo mbivendosje, të mundshme eventuale.

ç) regjistrimeve të mëparshme në kohë, të cilat nuk përmbushin kërkesat qoftë edhe vetëm të  neneve 192-197, të Kodit Civil, vetëm për pjesët e mbivendosura të pasurisë, si dhe bën ndarjen e pjesës së pasurisë, që nuk mbivendoset. Gjithashtu, kërkon edhe fshirjen e çdo regjistrimi pasardhës tjetër, që rezulton sipas shkronjës “b”, të kësaj pike.

d)       të dyja regjistrimeve të mbivendosura në rastet e shkronjës “a” të kësaj pike.

6.    Regjistruesi njofton palën/t e interesuara jo më vonë se 10 ditë nga dita që  ka dërguar vendimin e tij te kryeregjistruesi, nëpërmjet shërbimit postar “përgjigje-marrë”, në adresën e tyre, sipas përcaktimeve të vendimit nr.24, datë 19.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e lëshimit të dokumenteve nga disa zyra të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe ndryshimin e tarifave për to”, ose me afishim pranë zyrës vendore dhe njësisë administrative, me një afat prej 10 ditësh. Në njoftim, të cilit i bashkëlidhet kopja e vendimit të regjistruesit, cilësohet edhe e drejta për të paraqitur, te Kryeregjistruesi, brenda afatit 30-ditor të gjitha dokumentet e nevojshme qe çmohen prej tyre.

Konfirmimi i marrjes dijeni bëhet sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile, në pjesën e njoftimeve, dhe në Kodin e Proceduarve Administrative, si dhe depozitohet në dosjen përkatëse.

7.         Menjëherë pas kryerjes së këtyre veprimeve dhe konfirmimit të marrjes dijeni, regjistruesi, bën pezullimin e regjistrimit,  duke bërë shënimet në krah të regjistrit në kolonën “shënime”, për regjistrime të kryera në librat e ish-hipotekës, dhe në seksionin “E”, të kartelës, për pasuritë e regjistruara në regjistrat e krijuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Shënimi përmban numrin dhe datën e vendimit si dhe një përshkrim të shkurtër të përmbajtës së tij i cili ka afat deri në miratimin ose shfuqizimin e tij, nga kryeregjistruesi. Pezullimi nuk shtrihet mbi pjesën e pasurisë së ndarë, e cila nuk ka mbivendosje.

8.         Jo më vonë se 10 ditë nga marrja e vendimit të pezullimit regjistruesi përcjell te kryeregjistruesi, dosjen përkatëse, e cila përmban:

a)         Dokumentacionin përkatës të regjistrimit, i cili konstatohet si i 

     pavlefshëm.

b)   Dokumentacionin përkatës të secilës pronë, që është  

       mbivendosur.

c)         Dokumentacionin e hartuar sipas pikës 4, të këtij udhëzimi.

ç)         Kopje të njoftimeve, konfirmimit apo të shpalljes sipas pikës

       6 të këtij udhëzimi.

  d)    Fotokopje të regjistrit, ku ka bërë pezullimin e veprimeve

              sipas pikës 7, të këtij udhëzimi.

9.         Kryeregjistruesi, pasi merr dosjen, sipas pikës 8, të këtij udhëzimi, brenda 24 orësh, ia  kalon për shqyrtim sektorit të apelimit. Kryeregjistruesi mund të caktojë edhe specialistë të sektorëve të tjerë, për shqyrtimin e dosjeve të mbivendosjeve, të cilët do të punojnë nën drejtimin e sektorit të apelimit. Ky shqyrtim duhet të bëhet brenda afatit prej jo më shumë se 20 ditësh nga data e marrjes së kërkesës. Sektori i apelimit kryen veprimet e mëposhtme:

a)       Kryen hetim administrativ, duke shqyrtuar të gjithë fashikullin e përgatitur nga regjistruesi, sipas pikës 8, dhe provat e paraqitura nga palët gjatë kohës se shqyrtimit të këtij procesi.

b)       Kryen një seancë dëgjimore me palët ose përfaqësuesit e tyre, vetëm nëse një veprim i tillë çmohet i domosdoshëm prej tij, për t’u sqaruar për veprimet apo dokumentacionin.

c)       I jep palëve jo më shumë se 5 ditë kohë, për të paraqitur dokumentacionin e njehsuar me origjinalin, në rast se ato janë fotokopje ose ndonjë provë shtesë.

Kryerja e procedurave, të parashikuara në shkronjat “b” e “c” nuk janë të domosdoshme dhe nuk cenojnë procesin e rregullt hetimor. Mosparaqitja e dokumenteve sipas shkronjës “c”, brenda afatit, nuk e pengon kryeregjistruesin të marrë vendim, duke e çmuar ketë qëndrim në përputhje me provat e tjera.

10.       Sektori i Apelimit brenda afatit të mësipërm, përgatit vlerësimin ligjor dhe harton projektvendim përkatës, të nënshkruhet nga ky sektor, të cilat do të shqyrtohen brenda 48 orëve  nga zëvendëskryeregjistruesi i ngarkuar për apelimin, i cili e kalon dosjen më pas te kryeregjistruesi.

11.       Kryeregjistruesi shqyrton dosjen dhe pasi ka verifikuar se kjo çështje nuk është objekt i shqyrtimit gjyqësor ku vetë ZRPP-ja të jetë palë, brenda afatit të përgjithshëm 30-ditor nga marrja e kërkesës, merr vendim, në mbështetje të Kodit të Procedurës Administrative dhe të nenit 10, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, të ndryshuar, sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Kryeregjistruesi, sipas rastit, vendos miratimin e plotë apo të pjesshëm të vendimit të regjistruesit ose mosmiratimin e tij.

Kur në vendim miratohet fshirja e një apo disa regjistrimeve, ai duhet të respektojë edhe parashikimet e shkronjave “a”, “b” , “c” “ç” ose “d”, të pikës 5, të këtij udhëzimi. Në rastin e miratimit të pjesshëm apo të mosmiratimit të vendimit të regjistruesit, kryeregjistruesi urdhëron edhe heqjen e pezullimit për ato pjesë të regjistrimeve, për të cilat nuk vendoset fshirja.

Vendimi i kryeregjistruesit i njoftohet palës/palëve të interesuara, brenda 10 ditëve dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse. Një kopje e vendimit i njoftohet Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

12.       Vendimi i kryeregjistruesit, brenda 24 orëve, i dërgohet regjistruesit për ekzekutim të menjëhershëm. Masa e pezullimit e vendosur sipas pikës 7 të këtij udhëzimi e humbet fuqinë edhe në rastin kur kryeregjistruesi nuk është shprehur me vendim brenda afatit të parashikuar.

Ekzekutimi i vendimit të kryeregjistruesit për fshirje të një apo disa regjistrimeve (në mënyre të plotë apo të pjesshme) nga regjistruesi bëhet duke bërë shënimet në regjistra në kolonat ose seksionet përkatëse, sipas përcaktimeve të pikës 7 të këtij udhëzimi, duke referuar numrin e datën e vendimit, pa fshirë dhe asgjësuar, në asnjë rast, regjistrimet apo shënimet, që janë objekt fshirjeje. Fshirja konsiderohet e kryer në çastin e regjistrimeve dhe shënimeve në regjistra nga regjistruesi.

Regjistrimet, për të cilat  është vendosur fshirja, sipas procedurës së mësipërme konsiderohen se nuk kanë ekzistuar ndonjëherë dhe nuk pasjellin asnjë detyrim administrativ për zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ato nuk shërbejnë si bazë për kërkim/dhënie të ndonjë shërbimi të parashikuar në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, dhe nuk mund të shërbejnë për të kryer transanksione apo veprime juridike të çfarëdoshme  mbi pasurinë apo të drejtat e tjera reale të cilat tregojnë.

13.           Kundër vendimit të kryeregjistruesit, palët e interesuara, të cilat, janë   pjesë e procesit, mund të bëjnë ankim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit.

14.          Ngarkohet zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›