Mbretëresha e gazetarisë skandaloze

Më 16 korrik të vitit 2009, kur James Murdoch, biri dhe trashëgimtari i “peshkaqenit” Rupert Murdoch, magnatit të medieve, në momentin që pati kënaqësinë që të njoftonte se Rebecca Brooks ishte katapultuar në Olimpin e grupit mediatik, me detyrën e administratores së deleguar të “News International”, shoqëria mediatike e fuqishme, ai e karakterizoi në këtë mënyrë të sapoemëruarën: “Është një zonjë që di të bëjë bashkë talentin editorial me kreativitetin tregtar dhe strategjik, duke i bërë këto në nivelet më të larta”. Në fakt, Rebecca është një stratege e pagabueshme, veçanërisht nëse bëhet fjalë, ose më mirë bëhej fjalë, për karrierën e saj. Për të arritur realizimin e objektivave të karrierës së saj, për të rënë në sy, për t’u bërë e fuqishme dhe e pasur në një botë të vështirë dhe mashkullore të medies, zonja e njohur edhe për krifën e saj të kuqe me kaçurrela, ka ditur gjithnjë që të nxjerrë dhe vërë në përdorim cinizmin më të keq dhe vrerin më të madh. E sigurisht që në shumë raste kjo lloj mënyre e të bërit karrierë i ka dhënë rezultat, në një botë që funksionon me një moral dhe rregulla të tilla. 43-vjeçares nuk mund të thuhet se i mungon talenti gazetaresk dhe herë pas here dhe mprehtësia e penës, apo aftësi të tjera profesionale, por ajo çka e bëri me të vërtetë të famshme dhe të pushtetshme, deri ditën kur i dolën në shesh lakrat, ka qenë ndyrja e vazhdueshme e duarve me të gjitha llojet e pisllëqeve, vetëm e vetëm për të kënaqur shefat e saj dhe oreksin e tyre për skandale. Për të mund të thuash se ishte një spekuluese e jashtëzakonshme, madje me një defekt fare të vogël në kurrikulumin e saj, “spiunllëkun”.
Në vitin 1994, Rebecca ishte një reportere e revistës së famshme që do të mbyllet, “News of the world” e Piers Morgan, që në atë kohë ishte në krye të revistës tabloid, që për 168 vjet ka dalë çdo të diel në treg. Në atë kohë, shefi i kërkoi se si mund të gjenin disa pjesë nga biografia e princit Karl të Anglisë, e cila pritej që të dilte në treg dhe që gazeta “Sunday Times” pritej që ta botonte me pjesë. Sigurisht që ishte një punë e vështirë, por që Rebecca e mori menjëherë përsipër. Gazetarja e re në atë kohë, e diplomuar në Universitetin e Sorbonës, bëri menjëherë një plan për të realizuar detyrën: u vesh si pastruese dhe hyri në redaksinë e gazetës “Sunday Times”, u fsheh në banjë dhe në një moment të përshtatshëm, arriti që të vidhte artikujt dhe materialet për princin Karl që ia kishte kërkuar shefi i saj. Dukej që mbi të gjitha ishte një vajzë që do të kishte qenë e prerë për spiunazh. Dhe pikërisht për këtë aftësi të sajën për të spiunuar, ndyrë duart dhe për të arritur gjithçka me çdo mjet pa asnjë lloj skrupulli shefat e deshën, e afruan dhe e promovuan në detyrë, duke i besuar revistën dhe emrin e kompanisë. Dhe kjo ishte një ëndërr për Rebeccën, që e kishte pasur gjithmonë, që të ngjiste majat e hierarkisë në botën e gazetarisë. Por çfarë gazetarie se!
Për sa i përket revistës “News of the world”, ajo hyri në radhët e saj si një sekretare fillimisht dhe më pas, falë aftësive të saj manipuluese dhe mos-tërheqjes kurrë nga objektivi, u ul para tastierës së kompjuterit të gazetares, ku nisi që të bënte edhe artikujt e parë për revistën e përjavshme. Tashmë të shkuarën e kishte lënë pas shpine. Përpara i ishte hapur një botë e re dhe një karrierë e shkëlqyer që, nëse do të dinte se si ta stiste, do ta çonte aty ku kishte ëndërruar gjithnjë: në majë. Kur studionte në Francë ishte përfshirë me lëvizjet feministe, por tashmë ajo përvojë kishte mbetur përtej kanalit. Tanimë, në tabloidin për të cilin punonte, duheshin gjëra të tjera, besime të tjera. Dhe kështu, pak nga pak, Rebecca nisi ngjitjen dhe në vitin 2000 u bë drejtoreshë e “News of the world” dhe më pas, në vitin 2003, mori në duar edhe frenat e “Sun”, një tjetër tabloid i famshëm britanik gjithashtu i perandorisë mediatike të Murdoch. Dhe pikërisht këtu në këtë tabloid, ajo arriti që të çonte në “djall” parimet e dikurshme për feminizmin dhe barazinë femërore dhe vendosi që për të shitur gazetën, në faqen e tretë të revistës, në secilin numër të saj të vendoste nga një femër lakuriq. E sigurisht që talentin e saj Rebecca nuk e përdori vetëm për të ecur përpara në profesionin e saj. Nuk la pas as jetën private dhe madje ka lënë shenjë edhe në botën mondane. Bashkëshorti i parë ishte një burrë bukurosh, një aktor me të cilin nuk ia përtonte që të zihej edhe me shqelma e grushte para të tjerëve. Pas dështimit të martesës së parë, u martua sërish, por këtë herë u tregua e kujdesshme dhe zgjodhi një bashkëshort të pasur, me një pasion të theksuar për gjuetinë për të, fundjava të shtrenjta nëpër kryeqytete të botës, në të cilat çifti shkonte me aeroplan privat. Ajo ishte laburiste, mbështetëse e flaktë e Tony Blairt dhe, më pas, kur ai iku nga pushteti, u bë me pasardhësin e tij, Gordon Brown. Por nuk është ndalur me kaq. Kur laburistët ikën nga pushteti, për t’ia lënë vendin në zgjedhjet e fundit konservatorëve, u bë mbështetëse dhe admiruese e flaktë e kryeministrit të ri të vendit, David Cameron. Pra është një zonjë që shkon aty ku e thërret zemra.
Në grupin e të famshmit Rupert Murdoch, ajo është numri 2, pas vetë bosit. Në krye të bordit të “News International” është emëruar në vitin 2009 dhe kur me këtë rast e pyetën se si ndihej në një pozicion të tillë të lartë, ajo u përgjigj: “Si një fëmijë që mund të ketë gjithçka që dëshiron”. Për të parën herë ndoshta kjo zonjë dha një përgjigje të sinqertë në jetën e saj. Së fundi, ndërkohë, ajo është në një situatë shumë të vështirë. Rasti i përgjimeve të fundit, të cilat i ka kryer për të pasur me çdo kusht skupe në revistë, e kanë zhveshur dhe ia kanë çjerrë maskën mbretëreshës së gazetarisë skandaloze. Por është e vështirë që t’i ikë kësaj situate në majë të gishtave, për shkak të karakterit dhe tipit që ka.