E Shtunë, 31 Tetor 2026

U dukën n’Karaduk!

• Martin LekaNuk më kishte shkuar  kurrë në mendje se mund të bashkoheshin kaq mirë në një përqasje disa veprimtarë dhe veprimtaria e tyre me emrin e fshatit. Fshati quhet Karaduk! Veprimtarët janë disa serbë me banim në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Veprimtaria: kundër Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Parullat: Të varim Amerikën me kokë poshtë e këmbët lart… Hahahaaaa! Republika ku jetojnë të mos njohë shtetin e Kosovës, se në rast të kundërt do ta mbronin Kosovën me çdo mjet… Hahahaaaa! Po ç’të bësh më tjetër përveçse të qeshësh me këta 40-50 serbë që ende sot mendojnë e veprojnë sikur në këmbë të ishte Jugosllavia e Millosheviçit?! ...Këto “fosile” nacionalizmi nuk janë gjë tjetër veçse burim lajmi në ditë pushimi, kur redaksitë e mediave tona punojnë me kapacitet të reduktuar dhe ku mezi ç’presin të shfaqet ndonjë lajm, si ky për këta serbë të currufjepsur, që gjithsesi, përbëjnë lajm, aq sa përbën lajm “e çmendura N” e gazetës së Y.Rakipit… Kësisoj, Karaduku, vendi ku u zhvillua kjo protestë serbe, nuk të thotë asgjë tjetër, përveçse një “rebus” humoristik, apo si fjalë që përdorin fjalëkryqësit për të mbushur katrorët bosh, si fjala vjen: -me “kara” bëhet Karaduk?!...***E kemi trajtuar në disa shkrime temën e Kosovës, për të cilën jo vetëm unë, por askush besoj se nuk duhet të ndihet i lodhur. Dje, kam parë për herë të parë një nga ata shqiptarë, të cilëve nuk u ka dalë akoma “dehja” nga festa e shpalljes së shtetit të ri. Nën këtë situatë “narkotike”, ky shqiptar i ekzaltuar, dëshpërohej dje pse ministri serb për Kosovën, Samarxhiç, kishte mundur të kalonte kufirin. Madje, ai fajësonte për këtë edhe kryeadministratorin Joakim Ryker, pse ky kishte anuluar urdhrin e parë për ndalimin e hyrjes së këtij zyrtari serb. Një miku im u mundua t’i shpjegonte me kujdes se kjo ngjarje nuk përbën asnjë problem për të ardhmen e Kosovës së pavarur, nuk përbënte asnjë problem për t’u shqetësuar, nuk ndot aspak përkushtimin dhe statusin e forcave ndërkombëtare në Kosovë dhe për më tepër, nuk i prish asgjë popullit të Kosovës… Nuk di nëse ky njeri u bind, por përshtypja e parë që m’u krijua është se ky njeri, edhe pse në të drejtën e tij, kishte filluar të “abuzonte” me vetveten, me të drejtën e tij dhe me çështjen e tij. Në njëfarë mënyre, ky njeri nuk dallonte shumë nga mendësia e ndrydhur si me tapë në trurin e vet. Për të gjithë ata që tani e tutje e konsiderojnë datën 14 Shkurt, pra pavarësinë e Kosovës, si një ditë magjike, do të ishte gati-gati fatale, pasi kjo ditë vërtet e shënuar dhe e lumtur, është vetëm nisja e një rruge të gjatë drejt lirisë dhe një shoqërie të hapur. Sepse, pikërisht pse kjo datë ka ardhur përmes sakrificash të panumërta, ndonjë “incident” si ky me zyrtarin serb që ka hyrë në Kosovë duhet kapërcyer me lehtësi. Sepse ky zyrtar serb është lejuar nga administrate ndërkombëtare në Kosovë pikërisht për të shmangur provokime të tjera më të rënda. Dhe provokime të tjera do të ndodhin edhe në të ardhmen. Për këto duhet të jenë të gjithë të përgatitur e të ndërgjegjshëm. Rasti i ministrit serb për Kosovën nuk është rast që ia vlen të merresh gjatë me të. Për ngjarje si kjo e Samarxhiç, shqiptarët kanë një shprehje mjaft domethënëse: “vari samarin”…!***Shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran tregoi edhe njëherë sindromin e një “aleance” të vjetër, në të cilën, për fat të keq, ka qenë edhe Shqipëria e dikurshme komuniste. Radhës së gjatë të njohjes nga vende me demokraci elitare e potente botërore, i janë kundërvënë disa vende, që për analogji, kanë qenë bërthama apo liderët e aleancave të “djallit”. Ndoshta jo rastësisht, në radhën e kundërshtarëve të njohjes së Kosovës si shtet hyjnë shtete si Rusia (zemra e ish-BRSS-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike), Kina, Kuba e vëllait të Fidelit tashmë, Venezuela e Hugo Çavez etj. Sigurisht, kjo është një temë e gjerë dhe jo çdo paralelizëm shkon, por në një vështrim të përgjithshëm e hipotetik, kemi të bëjmë, në mos me substancë, të paktën me nuanca të një aleance të vjetër. Aleancë, e cila do ta përdorë çështjen e njohjes së Kosovës si shtet jo për qëllimet e veta të dikurshme, por për rritjen e protagonizmit global e për të përfituar sadopak nga ndonjë situatë që kurrsesi nuk mund të jetë e ngjashme me problemin e Kosovës.***Për një gjë duhet të jemi të qartë të gjithë. Kosova, për gjithçka ka arritur me shpalljen e pavarësisë, është në të drejtën e saj të vonuar. Sigurisht, kjo ka rregulluar mjaft ekuilibra në gjeopolitikën rajonale apo globale, po aq sa për disa të tjerë i ka “prishur” këto ekuilibra.Për rrjedhojë, askush nuk duhet të çuditet apo të mërzitet, nëse herë pas here do të shfaqet ndonjë “Karaduk”…!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›