Vit i tmerrshëm, vit i mrekullueshëm
• Armand SallabandaShumëkush nga ne do të pyeste, po në të vërtetë çfarë ka ndodhur në ditët e para të shtetit më të ri në botë, të Republikës së Kosovës? Çfarë skenarësh shfaqen në këtë periudhë të ngjeshur me ngjarje, deklarata dhe tensioni gjeopolitik? Sepse në të vërtetë pavarësia e Kosovës nuk duhet marrë vetëm si një e drejtë universale e popujve për të qenë të lirë dhe sovranë. Annus Horribilis (vit i tmerrshëm). Pavarësia e Kosovës shkaktoi reaksionin e parashikueshëm të serbëve, një reaksion plot mllef, plot parulla nacionaliste, plot simbole fetare, dhe të gjitha këto, të enfatizuara nga një fjalor mjerano-regresiv që s’mund kurrsesi të jetë pjesë e një vote, në dukje proeuropianiste, dalë nga zgjedhjet e fundit presidenciale serbe. E gjithë kjo makineri nacionaliste për të kundërshtuar atë që ajo s’mund të jetë më Ndërkohë që pamjeve të djegieve të selive diplomatike i bashkohej, si për ironi, dhe plaçkitjet “njerëzore” të dyqaneve që kësaj radhe nuk kishin asnjë flamur. Në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbështetja e pavarësisë së Kosovës nga ana e SHBA dhe një pjese më të madhe të Evropës po largon akoma më shumë Rusinë, e cila shtrëngon nofullat e nxjerr dhëmbët, me deklarata ambasadorësh, herë-herë të pambështetura nga Moska zyrtare. Si në rastin e Serbisë dhe në atë të Rusisë, prapa këtyre maskave kërcënuese fshihen interesa të tjera. Në rastin e Serbisë, që shumë shpejt do të përballet me zgjedhjet e radhës, skërmitja e dhëmbëve, për atë që ata quajnë një amputacion të së drejtës së tyre në territorin kosovar, nuk mund të shkojë më tej interesave të ngushta politike të liderëve të tyre si Koshtunica, që, duke parë qartë tendencën nacionaliste akoma të gjallë në venat serbe dhe gati rrëshqitjen e Serbisë në duart e ultranacionalistit Nikoliç, bëjnë levë mbi këtë situatë për të rritur imazhin e tyre politik. Ndërkohë, Rusia ngre zërin dhe i apelohet “të drejtës ndërkombëtare dhe moralit”. A nuk tingëllon pak si çudi që tamam Moska zyrtare e bën këtë? A do ishte më mirë që kjo e fundit të pranonte se pavarësia e Kosovës nuk është një gur shahu që ajo mund të përdorë sa herë politika ruse mundohet të fshehë divergjencat thelbësore të karakterit demokratik dhe centralizimit të pushtetit në duart e oligarkëve tashmë të njohur në arenën ndërkombëtare? Apo mos ndoshta, kjo “luftë e ftohtë” për një fushatë në mbrojtje të “aspiratave” serbe është vetëm mbështjellësja e thelbit të vërtetë të qëllimeve reale gjeopolitike? Mos kjo ka të bëjë me frikën se ndoshta dhe ato vende ish-sovjetike që i kanë kthyer shpinën një politike izolacioniste nuk duan më të shohin të ardhmen e tyre nga vrima e çelësit të derës së mbyllur ruse?Por, realisht, a kishte alternativë tjetër përveç pavarësisë? Na mjafton të sjellim ndërmend luftërat shekullore. Madj, jo dhe aq të largëta. Po të rikujtojmë vendimet e konferencës së Londrës (1913) do të shohim qartë se si nën trysninë e influencave shoviniste toka kosovare iu aneksua “perandorisë serbe” të sapokrijuar, e dalë sakaq e fortë politikisht nga konflikti otoman. Dhe na mjafton të ecim pak më tutje dhe t’i rikujtojmë drejtuesve aktualë serbë e rusë për ndërhyrjet në parlamentin serb të po kësaj periudhe të njëfarë drejtuesi socialdemokrat të quajtur Dimitrije Tucovic, teksa i referohej Kosovës shprehimisht thoshte: “...kemi hyrë në një tokë të huaj”. Të huaj! Ligjërisht dhe moralisht. Për të vazhduar me një gazetar rus të Pravda-s, i cili bënte një përshkrim rrëqethës të masakrave që pasuan pas këtij aneksimi. Ky gazetar rus ishte njëfarë Lev Trockij. Historia e hershme dhe e afërt tregon qartë përpjekjet shumëvjeçare për sllavizmin e Kosovës. Dhe kush nuk e ka memorien e shkurtër, serb a rus qoftë, mund t’i japë vetë një përgjigje pyetjes së mësipërme.Tashmë “llogoret” janë evidente. Harta gjeopolitike po ndryshon me hapa të paparashikuar. Historia na tregon se përqasja me realitetin dhe ndryshimet që kanë ndodhur, sidomos këto vitet e fundit kanë ndryshuar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Historikisht më e dobët dhe më e paqartë në lidhje me vendimet e rëndësishme me karakter ndërkombëtar dhe me qëndrimet amerikane, Evropa po krijon një identitet të vet dhe në kuadrin e ndryshimeve që ndodhin në spektrin gjeopolitik. Këtë e tregon më së miri dhe misioni i asistencës në Kosovë, Eulex, që është një mesazh i qartë që zbeh dhe ato lëkundje të vogla të disa shteteve evropiane në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Një Evropë që tashmë njeh rolin e rëndësishëm të shqiptarëve për krijimin e ekuilibrave në pjesën juglindore të saj. Një Bashkim Evropian që sheh me prioritet një zgjerim sa më të shpejtë të kësaj pjese të Evropës, si për t’i dhënë fund konflikteve të së kaluarës. Annus Mirabilis (vit i mrekullueshëm). Mesa duket ky vit do të jetë vërtet në shenjën e shqiptarëve. Më në fund. Më në fund dhe aspiratat e Shqipërisë për integrim euroatlantik dhe më i afërti ai në NATO, do të gjejnë përgjigje në samitin e këtij prilli në Bukuresht. Asnjë nuk mund të mohojë që tashmë shqiptarët mund të ndihen me të drejtë të plotë faktor i rëndësishëm gjeopolitik. Një faktor që në ADN-në e vet përmban stabilitetin e një rajoni të sfilitur nga luftërat e padrejta dhe të pamoralshme. Pavarësia e shumëpritur e Kosovës na bën të mendojmë që, më në fund, drejtësia ka shkuar në vend të vet. Që më në fund kosovarët të ndihen, moralisht dhe ligjërisht, zotë të tokës së tyre e të lirë për të qenë të lirë. Të lirë për të nderuar gjakun e atyre që nuk mundën të shohin dritën e diellit të mëvetësisë. Të lirë për të krijuar kushtetutën dhe institucionet e shtetit të tyre, në respektim të plotë të të drejtave të pakicave. Një pakicë që përfaqëson në vetvete një sfidë të madhe, mbi të gjitha të shoqërisë kosovare. Një realitet i ri që kërkon kohën e duhur, sidomos për t’u “gëlltitur” nga pakica serbe.Ka kaluar vetëm një javë për shtetin më të ri në botë. Mes gëzimesh, përqafimesh e lotësh, por pse jo dhe problemesh të ndryshme, që ditët që do të pasojnë do të përballin kosovarët. Mes presionesh shoviniste, fatkeqësisht akoma të gjalla në mendjet e së shkuarës që nuk duan të shohin të ardhmen.