U ekstradua nga Italia, shpallet i pafashëm
Dëshmitarët e thirrur në gjykatë, nuk identifikuan të akuzuarin me autorin e vrasjes së një adoleshenti në vitin 1997
Gjykata tha se i dyshuari i krimit gjatë kohës së krimit ka qenë në Itali, çka binte ndesh me pretendimet e akuzës
TIRANË- Gjykata e kryeqytetit shpall të pafajshëm Gëzim Ndreun të ekstraduar katër muaj më parë nga Italia, i akuzuar për vrasjen e një adoleshenti këtu e 13 vite më parë.
Treshja gjykuese, e kryesuar nga Petrit Çomo dhe anëtarët Sokol Tona e Gerd Hoxha, pasi shqyrtimit të provave të akuzës, pretendimet e mbrojtjes dhe fjalën e vetë të pandehurit Ndreu, urdhëruan lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi "Mine Peza" në kryeqytet ku ndodhej i izoluar.
Ky lirim, sipas arsyetimit të vendimit me nr. 1000, të firmosur nga tre gjyqtarët, vjen pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor të dosjes nuk u provua se Ndreu i ekstraduar në mars të këtij viti nga Italia t ishte autori i ngjarjes së 4 qershorit të vitit 1997. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë 17 vjeçari Besjan Breçani nga Bajram Curri por me banim në kryeqytet.
"Gjatë gjykimit u pyeten disa dëshmitarë, mes tyre prindërit, shokët që kanë qenë prezent në momentin e vrasjes dhe dëshmitari kryesor me inicialet B.C. që në fazën e hetimit e kishte identifikuar me foto.
Vetë prindërit dhe motra e viktimës, deklaruan se autori i vrasjes ishte i pandehuri Gëzim Ndreu dhe se këtë fakt ata e kishin mësuar që në kohen e ngjarjes nga shokët e të ndjerit, kryesisht dëshmitari me inicialet B.C. por nuk kishin besim tek policia për të kryer kallëzimin"-thuhet në vendim.
Në vazhdim të arrestimit, saktësohet se vetë shokët e viktimës, shtetasit me inicialet S.Xh. dhe Sh.G. të cilët kishin qenë prezent në momentin e vrasjes, të pyetur para gjykatës kanë deklaruar se nuk e njihnin autorin e krimit. Ndërkaq, dhe dëshmitari kryesor me inicialet B.C. mohoi të ketë pasur ndonjë kontakt me familjarët dhe t'i ketë njoftuar ata për autorin e mundshëm të vrasjes.
Gjithashtu në fjalën e tij, dëshmitari B.C. mësohet se ka mohuar në mënyrë kategorike që personi që ndodhej në sallë ishte ai që e ka qëlluar pasditen e 4 qershorit 1997 shtetasin Besjan Breçani.
"Dëshmitari deklaroi se paraqitja për njohje me anë të fotografive të kryer në fazën e hetimit nga prokuroria nuk ishte bërë në mënyrë të rregullt, pasi kishte pasur sugjerime dhe nuk e kishte lexuar procesverbalin para se ta firmoste.
Ai deklaroi se veprimi hetimor, paraqitja për njohje me anë të fotografive, që i është bërë ka qenë tërësisht i manipuluar nga prokuroria"-thuhet në vendimin që mbi bazën e të cilëve edhe gjykata krijoj bindjen se i arrestuari nuk është autor i vrasjes së Breçanit këtu e 13 vite më parë.
Gjithashtu, u provua se i arrestuari Ndreu në kohën e vrasjes ka qenë në Itali ku ka kryer një sërë veprimesh bankare dhe ishte pjesë e një ekipi sportiv në Itali. Arrestimi i tij është kryer në Itali dhe më 11 mars 2010 është ekstraduar nga Milano në aeroportin e "Rinasit" në Shqipëri.
Vrasja e adoleshentit në qendër të kryeqytetit
Rreth orës 14:00 të ditës së 4 qershorit 1997 ku në ish-lokal "Kolonja" i njohur në atë kohë si lokal lojërash fati tek ish-hotel "Vjosa", që ndodhej disa metra mbi sahat kullën në kryeqytet, është vrarë me armë zjarri shtetasi 17- vjeçar Besjan Breçani. Në momentin e vrasjes, i ndjeri Breçani ka qenë duke luajtur tek makinat elektronike bashkë me shokët e tij, dëshmitarët B.C.; Sh.G.; A.D. dhe S.Xh.
ë gjithë këta personat, kanë dëgjuar një person i cili e ka sharë viktimën Breçani, duke i thënë të ngrihej nga karrigia dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga prapa dhe më pas autori ka ikur me vrap në drejtim të sheshit "Skënderbej" dhe në vendin ku ka qenë ish-busti i diktatorit Enver Hoxha.
Sipas hetimeve, asnjëri nga personat që kanë qenë në lokal nuk e kanë parë fytyrën e vrasësit pavarësisht se dëshmitari B.C. e kishte ndjekur nga pas për disa metra dhe më pas është ndalur duke u kthyer mbrapa. Në atë kohë, shokët e të ndjerit kanë deklaruar se viktima Breçani një ditë më parë ishte zënë me një person me emrin Gëzim dhe që ishte nga Dibra, të cilit gjatë zënkës viktima i kishte hequr një varëse floriri nga qafa të cilën e kishte përvetësuar.