E Diel, 1 Nëntor 2026

PD i "bën gjyqin" kandidatit për Gjykatën e Lartë

Komisioni i Ligjeve për kandidatin Muçmata, dyshime për pjesëmarrje në gjyqet politike. Prokurori: Kam qenë në vitet '88-'90-të anëtar partie


TIRANË - Deputetët e mazhorancës kanë shprehur dyshime edhe ndaj kandidatit të tretë për në anëtar të Gjykatës së Lartë, prokurorit Vexhi Muçmata, duke aluduar se ka qenë i përfshirë në gjyqet politike gjatë periudhës komuniste. Prokurori Muçmata, edhe pse ka kryer detyrën e hetuesit, deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte gjykuar ose jo çështje me karakter politik.


"Unë e kam shpjeguar në pyetësor, për shkak të kohës së gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike që parashikoheshin në legjislacionin e kohës.


Megjithatë kam lënë të nënkuptohet se në rast se ka pasur ndonjë çështje unë për shkak të detyrës së hetuesit dhe kompetencave që ngarkonte Kodi i Procedurës Penale të kohës nuk kam pasur asnjëherë vendimmarrje për sa i takon akteve kryesore që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të individit", - theksoi Muçmata.


Dyshimet për pjesëmarrje në gjyqet politike të periudhës para vitit 1991, i ka hedhur edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ka kërkuar sqarime nëse prokurori Muçmata ka marrë pjesë në dënimin e një qytetari në vitin 1986.


Kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë u shpreh se nuk është marrë me dënimin e tij. "Për sa i takon vitit 1986 nuk kam dijeni, nuk jam marrë me këtë person, nuk kam lidhje. Ka qenë një grup pune dhe nuk jam marrë unë. Mund të merrni dosjen dhe ta shikoni se nuk kam punë me personin në fjalë", - tha Muçmata.


Prokurori hodhi poshtë edhe pretendimet e deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj se kishte përdorur detyrën në rastin e arrestimit të një personi në Tiranë, i cili ishte në konflikt pronësie, me një kompani nafte, ku zoti Muçmata ka 25% të aksioneve. Për rastin në fjalë, Muçmataj sqaroi se nuk kishte asnjë dijeni dhe shprehu bindjen se nuk është trajtuar fare gjatë periudhës që ai ka qenë si prokuror.


I pyetur nga deputetja demokrate Arenca Trashani, nëse ka qenë anëtar me ndonjë parti politike, kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë pranoi se ka qen[ anëtar i Partisë së Punës. "Kam qenë dy vitet e fundit, vitet '88-'90-të anëtar partie në kohën kur po ndryshonte sistemi", pohoi Muçmataj.


Lidhur me pasurinë e publikuar nga ILDKP-ja, kandidati Muçmata tha se ka një keqllogaritje nga Inspektorati, pasi ajo nuk është e madhe. "Instituti përkatës mendoj se nuk duhet të ngrejë hipoteza, të bëjë punën e vet, të sqarojë juve dhe opinionin se nuk kam asnjë lloj transaksioni të vënë në mënyrë të paligjshme", - u shpreh Muçmata.


Sot Komisioni i Ligjeve pritet të japë opinionin e tij për kandidaturat e presidentit për gjykatën e Lartë, Mehdi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata, për të kaluar më pas për miratim në seancën plenare të parlamentit.

Debatet
Eduard Halimi


Për ta plotësuar pyetjen, zonja Prokurore e Përgjithshme na ka çuar ne materiale dhe në të përcillet dhe një karakteristikë e shokut Qemal Lame, i cili thotë se ju keni tipare të gjaknxehtësisë, po më vonë keni bërë autokritikë. Mund të di për kuriozitet, se gjyqtari duhet të jetë gjakftohtë?


Vexhi Muçmataj


Ai mund të jetë një konstatim i drejtuesit të asaj kohe, por në karakterin tim nuk ka shfaqje të tilla. Jam një natyrë krejt e qetë, e urtë.


Mendoj se nuk më takon mua kjo gjë. Sa i takon pyetjes së dytë, mendoj se elementi i besueshmërisë për të kryer një detyrë ose një funksion, tek unë ka ekzistuar për faktin se në gjitha raportet që kam pasur, qoftë me kolegët apo qytetarët, unë kam qenë korrekt në pritjen, në zgjidhjen e problemeve dhe kjo ka bërë që të gëzoj vlerësimin e tyre dhe të strukturave që më kanë vlerësuar duke dhënë detyra dhe funksione të tjera. Nëse do ekzistonte qoftë edhe pak mosbesim, natyrisht që nuk do vlerësohesha.


Edi Paloka


A keni pasur ju tentativa për tu korruptuar dhe si keni reaguar?


Një pyetje e dytë që lidhet personalisht me mua, në vitin 2000, unë jam arrestuar me një akuzë të rreme të prokurorisë. Akuza ishte për përdorim dhune ndaj forcave speciale të prokurorisë.


Akuza ra në gjykatë se ata që prokuroria solli si dëshmitarë deklaruan se nuk ka asgjë të vërtetë. Është një rast kur vërtetohet akuzë e rreme e prokurorisë, si do të vepronit ju ndaj prokurorëve dhe si u veprua konkretisht. Prokurori ka qenë Etjen Kapo, nipi i Hysni Kapos?


Vexhi Muçmataj


Në asnjë rast nuk kam pasur tentativë premtim ose kërkesë për korrupsion, për të dhënë një vendim apo për tu ndikuar në dhënien e një vendimi nga asnjë person gjatë gjithë karrierës sime.


Për sa i takon pyetjes së dytë, mendoj se rasti duhet parë konkretisht, në rast se prokurori ka administruar prova në kundërshtim me kërkesat e ligjit, i ka vlerësuar dhe çmuar ato jo drejtë, atëherë mund të mbahej një qëndrim disiplinor pa diskutim. Por në rast se gjatë shqyrtimit të këtij materiali nuk rezultojnë të dhëna të tilla mendoj se nuk
mund të veprohet.

Edi Paloka
Nuk e dini si çështje?

Vexhi Muçmataj
Nuk kam qenë në vitin 2000, kam ardhur në prokurori në vitin 2002.

Pandeli Majko
A keni qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

Vexhi Muçmataj
Nuk kam qenë ndonjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Arenca Trashani
Gjatë jetës suaj keni qenë ndonjëherë anëtar i një partie politike?

Vexhi Muçmataj
Kam qenë dy vitet e fundit, vitet '88-'90-të anëtar partie në kohën kur po ndryshonte sistemi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›