U hiqet ndihma ekonomike, 420 familje në protestë
ELBASAN- Rreth 420 familje në Cërrik kanë zhvilluar një protestë, pasi prej dy muajsh nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata kanë kërkuar që të trajtohen dhe prefektura t’iu japë të drejtë duke miratuar vendimin e këshillit Bashkiak të Cërrikut. Protesta është zhvilluar para dyerve të bashkisë Cërrik dhe familjet janë ankuar se ndihma iu është hequr pa të drejtë. Të njëjtën gjë ka konfirmuar Drejtori i Ndihmës Ekonomike, Hekuran Kumria. Sipas tij, familjet e varfra në Cërrik janë të shumta ndërsa fondi i akorduar nga shteti është i pamjaftueshëm. Kumria thotë se në bashkinë Cërrik trajtohen rreth 420 familje, por numri i atyre që duhen trajtuar është edhe më i madh. Ai ka mbështetur kërkesën e familjeve duke kërkuar ndihmën e shtetit. Ndërkohë e pyetur për rastin e 420 familjeve në Cërrik, drejtoresha e Zyrës Rajonale të Shërbimeve Sociale në Elbasan, Alda Biçoku, deklaroise vendimi për të mos konfirmuar ndihmën ekonomike të Cërrikut ka ardhur pas një kontrolli të zhvilluar tek familjet që përfitojnë. “Ne jemi një organ kontrolli dhe monitorojmë procesin e shpërndarjes së ndihmës ekonomike të akorduar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Për këtë arsye kemi zhvilluar kontrolle në bashkinë Cërrik ku ka rezultuar se 209 familje nuk plotësojnë kriteret për të marrë ndihmën ekonomike. Grupi i kontrollit ka konstatuar se shumë prej familjeve janë vetëpunësuar, punësuar apo kanë automjete dhe nuk plotësojnë dokumentacionin përkatës. Për këtë arsye i kemi kërkuar Drejtorisë përkatëse në bashki të largojë nga skema familjet abuzive”,-e justifikoi Biçoku këtë vendim.