Familja e Enver Hoxhës në bashki: Duam një javë shtëpinë
GJIROKASTËR- Familjarët e diktatorit kërkojnë shtëpinë e Enver Hoxhës për 100- vjetorin e lindjes së tij. Askush në Gjirokastër nuk mund të thotë me siguri se kur ka qenë hera e fundit që e veja apo fëmijët e Hoxhës kanë vizituar si qytetin e gurtë, ashtu edhe shtëpinë e tij të lindjes, por ata kanë vendosur të qëndrojnë për një javë në Gjirokastër, për të zhvilluar ceremonitë e rastit. Pikërisht kjo ka qenë kërkesa e familjes Hoxha, drejtuar kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, duke marrë prej tij lejen për të qëndruar në shtëpinë e Enver Hoxhës. “Do të jetë një ceremoni shumë private dhe familjarët e Enver Hoxhës, me të drejtë kanë kërkuar të përdorin shtëpinë e lindjes së tij për zhvillimin e aktiviteteve në kuadër të 100- vjetorit. Po e theksoj se ky është një festim familjar, privat dhe nuk kemi asnjë arsye që t’u mbyllim dyert. Unë e kam marrë një kërkesë të tillë dhe e kam pranuar”, -u shpreh kryebashkiaku Bime, i pyetur në lidhje me një fakt të tillë.
Gjatë mesditës së djeshme, djali i Enver Hoxhës, Iliri, së bashku me bashkëshorten e tij kanë kryer një vizitë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, ku mësohet se shtëpia e lindjes ka qenë në qendër të bisedës, për të cilën nuk është dhënë asnjë detaj, pasi është konsideruar si një vizitë private. Prej disa vitesh, jo zyrtarisht, por në mënyrë verbale, shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës i është falur nga familja e tij qytetit të Gjirokastrës. “Kjo shtëpi nuk i duhet më familjes sonë. Nëse i duhet qytetit, le ta mbajë”, -mësohet të jenë shprehur familjarët e diktatorit, kohë më parë. E ndërsa pas një muaji mbushet plot një shekull nga data e lindjes së Enver Hoxhës, ceremonitë duket se do të përqendrohen në Gjirokastër, ku dy herë në vit, të vetmit që e kujtojnë dhe organizojnë aktivitete janë anëtarët e Partisë Komuniste.
E ndërtuar gati një shekull më parë, në vitin 1913, kur Enver Hoxha ishte 5 vjeç kjo shtëpi u dogj aksidentalisht dhe në vend të saj, për gati 54 vjet deri më 1967 mbetën gërmadhat. Nga ky incident fatal shpëtuan vetëm një qilim e një jorgan, të cilat më vonë nga familja Hoxha iu dhuruan muzeut të qytetit si dhe sahati i famshëm shekullor, që iu dhurua gjimnazit “Asim Zeneli” nga vetë Enver Hoxha. Gjatë rindërtimit të shtëpisë nga shteti në vitin 1967, u grumbulluan në të të gjitha karakteristikat më të mira të një shtëpie tipike gjirokastrite, duke filluar që nga tavanet, sergjenët, dollapët në mur, papafingot etj. Pas rindërtimit ajo kthehet në muzeumin e Luftës Nacional-Çlirimtare për qarkun e Gjirokastrës, status të cilin e mbajti deri në vitin 1991. Përveç armëve në këtë banesë kanë qenë të reklamuara edhe sende personale që familja Hoxha i kishte dhuruar dhe ka qenë një ndër 7 muzeumet e Gjirokastrës si dhe ndër më të frekuentuarit nga vizitorët.Në vitin 1997, një sasi eksplozivi e dëmtoi pjesërisht atë dhe vetëm pas shumë kohësh ajo u rikonstruktua duke u kthyer në muze etnografik dhe vazhdon të funksionojë si i tillë deri më sot.