E Diel, 1 Nëntor 2026

U kap me drogë, mbetet në burg këngëtari

 

GJIROKASTER - Ngelet në burg transportuesi i 340 kg marijuanë, Niko Fuqi, i kapur nga policia e Gjirokastrës gjatë një operacioni të zhvilluar tri ditë më parë në afërsi të Sarandës. Shkalla e parë e gjyqësorit të Gjirokastrës dha mesditën e djeshme masën e arrestit "burg pa afat" për artistin e rrymës muzikore alternative, Papa Joe, duke mbështetur pretendimet e deklaruara nga ana e organit të akuzës përfaqësuar gjatë seancës nga Arben Pashaj. Ky i fundit ka paraqitur rrethanat që faktonin se 26-vjeçari Fuqi, është arrestuar për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Në seancën e djeshme është dëgjuar komplet versioni i ngjarjes nga ana e organit të akuzës, ku rrjedhimisht ka kërkuar që Fuqi të qëndrojë në paraburgim deri në momentin e dhënies së vendimit të formës së prerë nga ana e gjyqësorit. Vetë 26-vjeçari Fuqi nuk ka folur gjatë seancës së djeshme duke ia dhënë këtë të drejtë avokatit të tij, Arjan Sotiri. Mbrojtësi ligjor i artistit gjirokastrit ka kërkuar nga ana e kryesuesit të trupit gjykues, Enton Dhimitri, që klienti i tij, të ndiqet në gjendje të lirë ose një tjetër masë arresti, por jo në qeli. Kjo kërkesë nuk u pranua nga trupi gjykues, pasi vlera e mallit narkotik të transportuar është mjaft e madhe. Mirëpo Sotiri ka argumentuar se Niko Fuqi nuk përbënte rrezikshmëri shoqërore ndaj dhe ndjekja e tij në gjendje të lirë ose në një masë më të lehtë, do të ishte më e pranueshme. Pas kësaj kryesuesi i seancës gjyqësore ka dhënë masën e mësipërme duke legjitimuar kërkesën e organit të akuzës që Papa Joe, të qëndrojë në burg në pritje për t'u gjykuar.            p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›