E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetit në punë, lista e 221 substancave të rrezikshme për jetën



Jonida Tashi

Inspektorati Shtetëror i Punës zbardh emrat e 221 substancave që rrezikojnë shëndetin e punëmarrësve. Bëhet fjalë për substanca të rrezikshme, të cilat, në përqendrime specifike, në një mjedis të caktuar, për vetitë e tyre fiziko-kimike, toksikologjike dhe ekotoksikologjike, përbëjnë burim rreziku për shëndetin, jetën e punëmarrësve dhe për mjedisin e komponentët e tij. Për këtë arsye, personat fizikë ose juridikë, prodhues, përdorues, importues dhe/ose transportues të substancave të rrezikshme janë të detyruar të respektojnë format, standardet dhe procedurat përkatëse, për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve. Ndërkaq janë edhe një sërë institucionesh zyrtare, që duhet të marrin masa për shëndetin e të punësuarve, duke filluar që nga Ministria e Punës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe inspektoratet, në varësi të tyre.
Mjeku i ndërmarrjes
Për të mbrojtur shëndetin e punonjësve në punë, qeveria vendosi që në çdo ndërmarrje të funksionojë shërbimi shëndetësor. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, punëdhënësi siguron funksionimin e shërbimit shëndetësor, nëpërmjet mjekut të ndërmarrjes, në të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari prodhuese private ose shtetërore, vendase ose të huaja, juridike ose fizike. Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës është struktura përgjegjëse për zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe funksionimin e shërbimit mjekësor në subjekte në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar Shtetëror. Për sa më sipër, çdo subjekt publik ose privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbimin shëndetësor të ndërmarrjes, nëpërmjet mjekut të
ndërmarrjes, i cili merret në punë në bazë të numrit të punëmarrësve me kohë të plotë ose të pjesshme, në format e mëposhtme: Shërbimi mjekësor në një subjekt me mjek ndërmarrjeje është i vlefshëm dhe për filialet në varësi; Shërbimi mjekësor mjek ndërmarrjeje ndërsubjektor, disa subjekte kanë të punësuar të njëjtin mjek. Aktivitetin e mjekut të ndërmarrjes mund ta ushtroj çdo mjek që zotëron diplomën e Fakultetit të Mjekësisë. Pas marrjes së vendimit për mjekun e ndërmarrjes, Ministria e Punës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nxjerrë një udhëzim të përbashkët për zbatimin e tij, që është ai “Për masa të veçanta të mbrojtjes dhe sigurisë së shëndetit në punë”. Në këtë udhëzim sqarohet në mënyrë të detajuar funksionimi i mjekut të ndërmarrjes. Strukturat përgjegjëse për zbatueshmërinë e akteve ligjore në lidhje me funksionimin e shërbimit mjekësor të punës janë Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror, të cilat duhet të kontrollojnë nga ana tekniko-ligjore punën e tyre. Marrëdhëniet mjek ndërmarrje-punëmarrës, të drejtat dhe detyrimet që ka mjeku i ndërmarrjes janë sqaruar në këtë udhëzim si dhe janë evidentuar dokumentacionet bazë të punës së mjekut në ushtrimin e detyrës së tij.
Sëmundjet profesionale
Mjeku i ndërmarrjes është i detyruar që të bëjë një raport vjetor të aktivitetit të tij, duke ja paraqitur bordit drejtues të subjektit apo subjekteve, sindikatave, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Inspektoratit Sanitar Shtetëror. Kur inspektori i punës gjatë ushtrimit të kontrollit në subjekte konstaton funksionimin e shërbimit shëndetësor nëpërmjet mjekut të ndërmarrjes, përveç deklarimit të ekzistencës së tij, duhet të informojë dhe për emrin e mjekut. Duke punuar me substanca që janë të rrezikshme për shëndetin, mjaft punëtorë bëhen “pre” e disa sëmundjeve të quajtura sëmundje profesionale, pasi fitohen nga puna që kryhet. Vendimi nr. 396 dt.28.06.2007 “Për përcaktimin e sëmundjeve profesionale” është një vendim i rëndësishëm, ku caktohen në mënyrë taksative se cilat janë sëmundjet profesionale. Po sipas vendimit të mësipërm, të gjitha rastet e dyshuara ose të diagnostikuara me sëmundje profesionale duhet të deklarohen nëpërmjet fletë-deklarimit të sëmundjeve profesionale. Në zbatim të këtij vendimi, raportimi i rasteve duhet të bëhet duke u shoqëruar si në rastet e aksidenteve në punë me proces-verbalin tip të aksidentit në punë, për sëmundjet profesionale çdo rast do të shoqërohet me fletë-deklarimin e sëmundjeve profesionale tip miratuar dhe i plotësuar e nënshkruar nga mjeku që e ka diagnostikuar. Menjëherë pas deklarimit të rastit nga ana e shërbimit shëndetësor, mjeku deklarues është i detyruar që fletë-deklarimin ta mbajë në tri kopje, një kopje e mban ai
vetë, një kopje ia dërgon Inspektoriatit Shtetëror të Punës Rajonal dhe një kopje ia dërgon Inspektoriatit Sanitar Shtetëror Rajonal. Njoftimi dhe dërgimi i këtyre fletë- deklarimeve është i detyruar të bëhet brenda 24 orëve. Drejtoritë Rajonale të Inspektoratit Shtetëror të Punës me marrjen e njoftimit dhe të fletë-deklarimit duhet të sjellin një kopje të fletë-deklarimit. Hetimi i rastit kryhet në bashkëpunim me inspektorët e Inspektoratit Sanitar Shtetëror.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›