Vret veten, pasi hidhet nga ballkoni
TIRANE - Një ish-punonjës policie, i ka dhënë fund jetës dy ditë më parë duke u hedhur nga ballkoni në apartamentin e tij në katin e pesët. Sipas burimeve nga policia bëhet fjalë për Beqir Ahmetajn, 74 vjeç, i cili kishte punuar disa vite më parë si punonjës policie në Komisariatin Nr.1 të Tiranës. Ahmetaj është hedhur nga ballkoni i apartamentit të tij në katin i pestë të pallatit ku banonte prej vitesh, në lagjen e "Ali Demit". Familjarët pasi kanë lajmëruar policinë kanë shpjeguar se ai vuante nga skleroza dhe kishte tentuar edhe një herë tjetër që të vriste veten. Një tentativë vetëvrasjeje 74-vjeçari tentoi ta kryente edhe disa ditë përpara ngjarjes së dy ditëve më parë, po në shtëpinë e tij. Herën e parë ai u zbulua në kohë nga familjarët e tij të cilët arritën t'i shpëtojnë jetën Ahmetajt. Për këtë shkak pas ngjarjes së parë të afërmit e ish-punonjësit të policisë, u munduan t'i qëndrojnë pranë duke ditur edhe sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej disa vitesh. Të premten pasdite, Beqiri, mundi të realizonte vetëvrasjen.