U kapën me 5.5 kg "heroinë", pritet lirimi
Të arrestuarit e operacionit "Servisi", pritet të lihen të lirë për shkak se malli rezultoi paracetamol
TIRANË- Drejt pushimit dosja penale ndaj dy adoleshentëve të arrestuar këtu e 19 ditë më parë në hyrjen e rrugës "Don Bosko" me 5.3 kg "pluhur i bardhë" që nga akt-ekspertimi i saj rezultoi se është paracetamol. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së kryeqytetit, të cilët saktësuan se po kryhen verifikimet e fundit të kësaj dosjeje penale dhe më pas çështja do të mbyllet për mungesë të veprës penale.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, në kryerjen e akt-ekspertimit të mostrave të "mallit" të sekuestruar mbrëmjen e 24 qershorit 2010 në një lokal në hyrje të rrugës "Don Bosko" kanë konkluduar se "malli" i dyshuar për heroinë është vetëm paracetamol i grirë.
Kjo ka bërë që prokurori i çështjes të kryej edhe disa verifikime të fundit në lidhje me informacionin e ardhur në polici për vendin dhe personat që do të kryenin "shkëmbimin" e mallit. Pasi janë ngritur dyshime, se është servirur ky informacion për të kaluar ndonjë sasi tjetër më të madhe të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar nga drejtuesit e policisë së kryeqytetit, konkretisht seksioni i "antidrogës" të dhëna operative për dy adoleshentët e arrestuar tashmë me masën e sigurisë "arrest me burg" Fluturim Syla dhe Artur Murati.
Fillimisht, pas arrestimit të tyre institucioni i akuzës ka ngritur dyshime se të "arrestuarit" kanë konsumuar veprën penale të "prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim, por me përfundimin e akt-ekspertimit kjo vepër penale bie poshtë, çka ka bërë që akuza të mbyllë dosjen. Pritet që në ditët në vazhdim, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë të urdhërojë lirimin e Sylës dhe Muratit, pasi nuk kanë konsumuar ndonjë vepër penale.
Ndërsa, i riu që tentoi të largohet me makinën e tij momentin që efektivët e policisë ndërhyjnë për të arrestuar të dyshuarit ka kërkuar lirimin për shkak se nuk ka lidhje me ngjarjen. "Nuk kam lidhje me këto dyshime të policisë e prokurorisë.
Unë thjesht pashë rrëmujë dhe tentova të largohesha pasi kisha frikë se po më qëllonte ndonjë person kot, pasi disa ishin të armatosur dhe me maska",-mësohet të ketë thënë Syla gjatë marrjes në pyetje nga prokurori. Sipas prokurorisë, dy adoleshentët Fluturim Syla dhe Artur Murati, u arrestuan pasditen e 24 qershorit 2010 në lokalin e pikës së basteve që ndodhet në rrugicën mes rrugës së "Durrësit" dhe asaj të "Don Boskos" që njihet për banorët e zonës si rruga e "Dërrasave" apo në afërsi të stacionit të furgonave të Laçit.
Bashkë me dy adoleshentët policia arrestoi edhe tre persona të tjerë kalimtarë të rastit, që 24 orë më pas u liruan me urdhër të prokurorit pasi nuk kishin lidhje me ngjarjen. Edhe ndaj tre personave të tjerë që filluan hetimet, prokuroria pushoi veprimet për shkak të mungesës së dyshimeve apo provave ndaj tyre.
TË ARRESTUAR
Artur Ali Murati, 18 vjeç, banues në Tiranë,
Florian Myftar Syla, 19 vjeç, emigrant me shtetësi Angleze