Realiteti i 60-ës? Mendonim për diçka të re!

Të shkolluarit e Pragës tregojnë, tashmë në distancë, praktikën e punës në Kinostudio në vitet '60. Kujtimet e inxhinierit të parë shqiptar, Nasi Shamia për laboratorin e filmit, teknikën primitive, filmin e parë me ngjyra dhe prerjen e skenave nga censura
Kur shkelën më 1958 në Kinostudion "Shqipëria e Re" më 1958 inxhinierët e shkolluar në Pragë Nasi Shamia dhe Fahri Jukniu filmat i realizonin sovjetikët.
Ekipi i ardhur nga Bashkimi Sovjetik ishte shkolla e parë për të rinjtë si Beqir Vaqarri, që nuk ishte ndër të zgjedhurit për studime jashtë dhe i duhej t'i përpinte shpejt mësimet e mjeshtërve për teknikën e xhirimit, të ndriçimit, fotografisë.
Të tre sot janë 80-vjeç dhe u desh një aktivitet i Arkivit të Filmit që të ndjenin se nuk i kishin harruar. Zor se mund ta shkëputësh Beqir Vaqarrin nga rrethet e të ftuarve që ai ndërron çdo minutë e të gjithë i bën të gajasen. Ka pamje babaxhani, e njeriut plot energji, inteligjent nga natyra dhe praktik. Veç intervistat nuk i do. I duhet të flasë për studimet e larta, "që nuk i ka ndjekur hiç" dhe për filmat që një zot e di pse nuk i vijnë në mendje. Ama për teknikën dhe kushtet e vështira ja ka qejfi. Ka punuar në një kohë kur për një film duheshin 50 vetë: tri për filmim, operatori dhe dy të tjerë apostafat për fokusin dhe dritat, për t'u përdorur mikrofoni duheshin shtrirë disa metra kabëll e sa e sa belara të tjera, kurse tani kinemanë e bëjnë 10 veta.
Vaqarri mbahet mend për xhirimin e filmave vizatimorë, "Pipiruku pret dy miq", "Qershiza mendjelehtë", "Zogu pushbardhë", "Perandoria me kokë poshtë", "Orët e Gentit", "Burri është burrë" etj.
Fahri Jukniut i pëlqen të rrijë veçmas nga turma e njerëzve të shpërndarë në Arkiv. Në heshtje dhe i menduar shijon me qetësi një pije. Në portretin e mbuluar nga rrudhat është ruajtur një lloj qetësie prej njeriu të mirë dhe mendjehollë. Sytë i flasin më tepër se ai zë i shuar që me zor i del nga kraharori por s'mund të rrijë pa thënë që "filmat e sotëm duhen studiuar më thellë dhe aktorët duhet të luajnë më me shpirt".
Jukniu ka punuar si operator zëri në filmat: "Krevati i perandorit", "Radiostacioni", "Vajzat me kordele të kuqe", "Duaje emrin tënd", "Rruga e lirisë", "Ëndërr për një karrige", "Asgjë nuk harrohet". Kur të gjithë largohen ca e nga ca, i fundit që lë Arkivin është Nasi Shamia. Për këtë rast ka nxjerrë nga gardëroba një kostum ngjyrë jeshile të mbyllur. Ai shtrohet të flasë për Kinostudion e 1958-ës, teknikën e prapambetur, laboratorin ku ka gdhirë netët, realizimin e filmit të parë me ngjyra, prerjen e skenave të puthjeve dhe dashurisë në filmat të huaj.
Z. Shamia si ishte Kinostudioja kur ju filluat punë?
Në kohën kur është inauguruar Kinostudioja, në vitin 1952, ika jashtë shtetit për studime dhe ndenja 6 vjet. Kur u ktheva, në Kinostudio realizoheshin filma dokumentarë. Filmi i parë artistik që arrita unë ishte "Tana", një film pa shumë kërkesa. Më 1958 ishin sovjetikët që drejtonin. Pastaj u kthye nga jashtë grupi i parë i kineastëve. Në pozicionin e inxhinierit, kishte qenë dikur një sovjetike, që u largua sepse u mërzit. Mua më kërkonin të vija shpejt nga Praga, por u thosha: "Ky nuk është kurs që mbaron shpejt, është shkollë normale inxhinierie". Kur erdha këtu gjeta një teknik, fotograf i zoti, Mihal Çarka. r erdha këtu. Ai mbështetej tek unë, unë tek ai sepse kishte eksperiencë. E gjithë kjo pasuri që ruhet tani në Arkivin e Filmit ka kaluar kuadër për kuadër në dorën tonë. Unë kam punuar këtu 35 vjet.
Çfarë mësuat për teknikën e filmit në Pragë?
Bëra shkollë të lartë për inxhinieri. Shkolla e Pragës ishte një ndër shkollat më të forta të Evropës Qendrore. Studioja e filmave"Parandov" ishte më e madhja. Aty vinin xhironin edhe sovjetikët. Po të mos kisha bërë atë shkollë nuk do të isha në gjendje të drejtoja këtu dhe të punoja në të gjithë sektorët. Laboratori kishte mbi 20 sektorë, që nga montazhi deri sa të mbaronte filmi. Duhej të punoja vetë dhe pastaj të mësoja të rinjtë. Puna jonë ishte përgatitja e të gjitha solucioneve sipas recepturave të caktuara dhe të ndiqnim procesin deri në montazhin e negativit.
Po këtu çfarë realiteti gjetët?
Oh realiteti! Për faqe të zezë! Por, njeriu mësohet. Ato makineri që i përdornin nxënësit në Pragë, ne i kishim si kryevepra e pesëvjeçarit. Studentët në Pragë e dinin. Thoshin ju keni dy makineri të vogla në Shqipëri: një "M19" dhe një "M20". Ne punonim me tri turne që të arrinim ta mbaronim filmin sepse makineritë kishin kapacitet të vogël. Pas vitit 1964, erdhën makineri të mira që na dhanë mundësinë të ecnim. Ato arrinin të zhvillonin 70m në orë.
Ju keni bërë i pari edhe përpunimin e filmit me ngjyra
Në vitin 1964, regjisori Dhimitër Anagnosti ka xhiruar filmin "Gurë dekorativë". Fillimisht u bë dokumentar sepse ishte më lehtë. Bënte fjalë për mermerin shqiptar. Shkuam atje ku nxirrej mermeri dhe u filmua i gjithë procesi, prerja, përpunimi, deri sa vihej në zbukurime.
Ku ndryshonte teknika nga ajo e filmit bardh e zi?
Procesi teknologjik ishte komplet tjetër. Edhe solucionet duhej të ishin për ngjyrat. Filmi bardh e zi kishte vetëm një shtresë të ndjeshmërisë, filmi me ngjyra kishte tri shtresa, një blu, një të kuqe, një të verdhë. Të tria këto përziheshin që të merrnin ngjyrën e duhur. Zotësia jonë ishte tek masa: sa duhet të merrnin nga e verdha, sa nga e kuqja, sa nga bluja, që të dilte një portret i pranueshëm. Punonim në mënyrë primitive sigurisht, tani as që diskutohet kjo teknikë.
Nga vinte lënda e parë?
Kryesisht nga Bashkimi Sovjetik. Praga na kishte dhënë dy makina të vjetra, të cilat ishin 150 m/orë. Ato ishin për shkollat. Ata i dërguan në Shqipëri dhe këtu u quajt kryevepra e 5-vjeçarit. Teknologjia e mirë ishte në Perëndim, nuk ishte në Lindje. Tek ne vinte teknologjia e prapambetur.
Përvojë të gjatë keni pasur. A keni njohur regjisor që provonin të rrezikonin për idetë dhe çështje estetike?
Filmat ishin me porosi. Kishte tema që i gjenin regjisorët, por që i shkonim për shtat shtetit. Pranoheshin ata filma që kishin luftën, vulën e partisë.
Kishte regjisorë që rrezikonin, por që ndëshkoheshin më vonë. Ka qenë Kujtim Çashku, Pirro Milkani. Kemi qenë bashkë me Milkanin në Pragë. Ne ishim të avancuar dhe na kritikonin. Thoshin ju vini nga vende perëndimore. Se e quanin perëndim Pragën! Na thoshin keni marrë ideologji perëndimore. Ne sinqerisht kemi menduar të bënin diçka të re, pa politikë, por nuk lejohej.
Keni pasur në dorë filma që ju kanë lodhur mbi të tjetër. Cilët?
Për të gjithë ka qenë e lodhshme, na detyronte puna. Por, kishte filma të cilëve u jepej më shumë rëndësi. Rëndësia varej nga Komiteti Qendror. Jam lodhur shumë për filmin "Lulëkuqe mbi mure", që duhej xhiruar në një lloj filmi të keq dhe më duhej të punoja në laborator që ta ngrija më lart nivelin. "Përralla nga e kaluara", u punua shumë ngaqë mendohej se do të ishte një film për jashtë shtetit dhe duhej të kishte dinjitet.
Keni bërë gabime në punën tuaj?
Si jo? Kush punon gabon. Një film i huaj që ishte në një sistem tjetër, mundoheshim ta bënim në sistemin tonë dhe dilte keq. Filmat e huaj i merrnin nga jashtë, i kopjonim dhe i shfaqnim të ndryshuar. Kishte ndonjë film që kishte ndonjë skenë, ndonjë kërcim pak më ekstravagant që e hiqnim. Nuk diskutohej për skenat erotike, sepse ato as guxonte njeri t'i fuste. Le të ishe i domosdoshëm filmi.