E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U kthye pas 30 viteve në Greqi, bletërritësi: Këtu ka më shumë mundësi se në emigrim


TIRANË, 25 mars/ATSH/ Pas 30 vitesh në emigrim, Fatos Hotolishta dhe familja e tij janë rikthyer në vendlindje me një vizion të ri, investimin për rritjen e bletëve në tokën e vetë.

Parku i tyre “Bleta e egër”, i vendosur në fshatin Pacomit të Përmetit siguron të ardhurat kryesore për këtë familje e cila mendon ta zgjerojë aktivitetin duke punësuar të tjerë persona.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Fatosit, i cili nga viti 1992 kishte emigruar në Greqi, dhe pas 30 viteve emigracion vendosi të kthehej në vendlindje.

Fatosi tregon se në vitin 2023 vendosi që aktivitetin që ushtronte në Greqi si bletar ta hapte në vendlindje.

“Vendosa që këtë aktivitete që kam pasur në emigrim ta hap në vendlindjen time. Me këtë aktivitet punësoj veten dhe familjen time dhe më vonë mund të punësoj edhe punëtorë të tjerë”, u shpreh Fatosi.

Sipas tij “në Shqipëri ka shumë mundësi për të punuar dhe jetuar më mirë se në emigrim”.

Ndërsa Klodina, bashkëshortja e Fatosit u shpreh se falë një financimi nga fondet e BE-së kanë arritur të sigurojnë edhe një makineri të posaçme për punishten e tyre.

“Në punishten ‘Bleta e egër’ kemi produktet tona si qumështi i bletës, poleni, propolisi, mjalti, qirinjtë e ndryshëm, kremërat që janë bio. Falë një fondi nga BE kemi marrë edhe makinerinë, që në jug të Shqipërisë nuk ka, për të bërë bukën e bletës për të stimuluar ushtrinë e saj dhe për të ecur sa më mirë. Pas 30 vitesh emigracion kjo punishte u rikthye në shtëpinë tonë të dytë. Ne mendojmë ta zgjerojmë akoma më shumë me punonjës të tjerë”, theksoi ajo.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›