U kthyen prapa
Presidenti i ri i serb, Tomislav Nikolic, ka emëruar të enjten për mandatar të Qeverisë së Serbisë Ivica Dacic, pasardhës i Milosevic.
Ky hap i kreut të shtetit serb nga autoritetet e Prishtinës është quajtur kthim i Beogradit në vitet e 90’të.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Presidenti i ri serb ka dërguar mesazhin më të keq për vendet fqinje të Serbisë dhe për BE’në.
“Profili i mandatarit Dacic, dita dhe data e mandatimit të tij, 28 Qershori, që është dita e Vidovdanit, janë mesazhe më të këqija që Beogradi ia dërgon jo vetëm Republikës së Kosovës si fqinjë direkt i saj, por të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë dhe vendeve të rajonit, të cilat në vitin 2012 janë në rrugë drejt integrimit në BE”, ka thënë Hoxhaj për Express, të premten.
Ndryshe, Presidenti serb Nikolic, që udhëheq Partinë Përparimtare të Serbisë, ka vendosur të përsëritë koalicionin e viteve të 90’të, kur në pushtet kanë qenë dy kriminelët Slobodan Milosevic dhe Vojislav Seselj. Në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga Milosevic – Seselj kanë ndodhur luftërat në Kroaci, Bosnje e Kosovë dhe është kryer gjenocid ndaj civilëve të vendeve të ish-Jugosllavisë.
Megjithëkëtë, Ministri i Jashtëm i Kosovës thotë se BE duhet të mos e lejojë Serbinë të dalë nga rruga europiane.
“Është një rikthim në të kaluarën, është një rikthim në nacionalizëm. Padyshim zgjedhjet e fundit në Serbi kanë sjellë një ndryshim, por ky ndryshim është kthimi i nacionalizmit të viteve 90’të. Ne shpresojmë që BE, shtetet anëtare dhe institucionet në Bruksel do ta japin maksimumin që realisht Serbia të kthehet në rrugën e saj europiane dhe që një mandatar i tillë për shkak të kaluarës së tij nuk mund të garanton se do ta drejtojë Serbinë në një të ardhme europiane”, ka vlerësuar Kryediplomati kosovar.
Në anën tjetër, mandatari për të krijuar Qeverinë e re të Serbisë, Ivica Dacic pas takimit me Nikolicin ka thënë se me gjithë bashkimin e nacionalistëve, Beogradi do të ecë drejt BE’së.
“Kjo Qeveri nuk do të thotë kthim në politikën e viteve të 90’të. Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Po që se kisha dashur, këtë do ta bëja në katër vitet e kaluara”, ka thënë Dacic, që ka udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Por, shefi i diplomacisë kosovare thotë se BE duhet t`i ketë të qarta kriteret për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Union.
“Është shumë vendimtare që BE ta ketë një politikë të qartë sa i përket integrimeve europiane dhe në të njëjtën kohë sa i përket kritereve, standardeve, të cilat duhet t`i respektojë elita e re politike. Kjo tregon se prej asaj kur Milosevic është larguar nga pushteti në tetor të vitit 2000 deri në maj të vitit 2012, realisht Serbia shumë pak ka ndryshuar”, ka shtuar ai.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë raportet të këqija ndërshtetërore.
Me gjithë negociatat e zhvilluara në Vjenë para shkurtit të vitit 2008, Beogradi ende nuk ka dhënë shenja se do ta njohë shtetin e Kosovës.
Prej vitit të kaluar dy vendet vazhdojnë të takohen në procesin e dialogut teknik, ku kanë arritur shtatë marrëveshje, të cilat ende nuk janë zbatuar.
Pala serbe insiston të ketë përsëri dialog politik dhe të hapë çështjen e veriut të Kosovës. Një kërkesë të tillë e ka thënë të mërkurën edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, gjatë takimit me kryediplomaten europiane, Chatherine Ashton.
Por, zyrtarët në Prishtinë deklarojnë se bisedime politike nuk do të ketë me Beogradin, përderisa dialogu teknik nuk mund të vazhdojë pa u zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që dialogu teknik, i cili ka ndodhur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka rezultuar me nëntë raunde takimesh dhe me shtatë marrëveshje. Këto marrëveshje në çdo formë duhet të zbatohen. Marrëveshjet nuk kanë asnjë vlerë nëse mbesin në letër, prandaj qëndrimi jonë që Kryeministri ia ka përcjellë z. Cooper, është që marrëveshje të tilla duhet të zbatohen, përderisa sa i takon situatës në tri komuna e gjysmë të veriun të Kosovës, qëndrimi i jonë si Qeveri është që duhet të ketë një dialog të brendshëm rreth zbatimit të Planit të Ahtisaarit dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.