E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli bën bilancin: 2011-a viti i reformave

28/12/2011  Konferenca për shtyp, kryeparlamentarja prezantoi dje punën e Kuvendit për këtë vit

“Jam e kënaqur që javën e fundit është ngritur Komisioni i reformës Zgjedhore”

Viti 2011 është mbyllur me bilanc pozitiv për Kuvendin, ku programi i punës parlamentare ka pasur në fokusin e saj reformat. Është ky vlerësimi i bërë dje nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në konferencën përmbyllëse për shtyp, ku prezantoi punën e Kuvendit për këtë vit. “Reforma ka qenë në axhendën e punës të komisioneve, reforma ka qenë në qendër të programit të punës së parlamentit. Sot mund të them se po përjetojmë përjetimin e këtyre reformave dhe besoj se kemi bërë të mundur atë që për shumë të tjerë dukej e pamundur”, - tha Topalli. Kryeparlamentarja vlerësoi gjithashtu si sukses arritjen e marrëveshjes PD-PS të arritur pas Konferencës së Kryetarëve për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që plotëson një nga kriteret e rëndësishme të rekomandimeve të KE-së. “Gjatë javëve të fundit Konferenca e Kryetarëve pas dy vjetësh bllokim miratoi projektligjin që kërkon shumicë të cilësuar dhe kalendarin e veçantë që kërkojnë shumicë. Ndonjëherë ka pasur përplasje personale të papranueshme, por tani që u kthye opozita ky ka qenë moment kushtetues me rëndësi, detyrimet që deputetit i duhet për miratimin e ligjeve me rëndësi. Jam e kënaqur që javën e fundit është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, të cilit i uroj punë të mbarë”, - u shpreh Topalli. Duke bërë një bilanc të ligjeve dhe projektligjeve që kaluan këtë vit në Kuvendin e Shqipërisë për diskutim dhe miratim, sipas Topallit, moment kulminant ishte miratimi i buxhetit të vitit 2011. “Momenti kulminant në punën e Kuvendit është diskutimi dhe miratimi i buxhetit, i cili kap shifrën rreth 5 miliardë dollarë”, - nënvizoi Topalli.

E pyetur mbi debatin më të fundit për kreun e shtetit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tij vitin e ardhshëm, kryeparlamentarja theksoi se respekton institucionin e Presidentit dhe ajo që kërkohet është respektimi i Kushtetutës. “Sa i takon axhendës së ndryshme, unë respektoj institucionin e Presidentit deri në një moment të caktuar. Ajo që kërkoj është respektimi i Kushtetutës”, - theksoi dje Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›