Ndërtimet pa leje, në pranga dy zyrtarë të bashkisë
Prangosen 2 dy punonjës të bashkisë Tiranë, të cilët në shkëmbim të ryshfetit lejonin ndërtimin e objekteve pa përmbushur kriteret ligjore. Arbit Medusa 30 vjeç, punonjës në inspektoratin ndërtimor të bashkisë Tiranë si dhe Alban Ziso 34 vjeç, punonjës i bashkisë janë arrestuar pas një hetimi disa mujor ndaj tyre pasi nga hetimet rezulton se këta persona favorizonin në shkelje me ligjin subjekte të caktuara që ndërtonin pa përmbushur dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
Nga ky operacion i policisë është arrestuar edhe Fatos Jana, 33 vjeç, i cili është bashkëpunëtor me dy punonjësit e tjerë të bashkisë.
Shuma e ryshfetit të cilët këta persona merrnin nga subjektet e ndryshme shkonte nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë. Policia nga ana e saj vijon hetimet për zbardhjen si dhe zbulimin e përfshirjes së mundshme të personave të tjerë në këtë skemë të abuzimit me detyrën.