Presidenca e Kosovës: Jahjaga nuk do të dorëhiqet nga posti që mban
Kosovë- Deklaratave të përsërituar në media se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duhet të japë dorëheqjen për ti hapur rrugë zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kreut të shtetit i është përgjigjur presidenca duke thënë se Zonja Jahjaga s’ka ndërmënd të japë dorëheqjen.
Siç raporton sot e përditshmja kosovare “Koha Ditore” Zonja Jahjaga ka sfiduar këto deklarata duke kërkuar që ato të bëhen në formë zyrtare.
Gazeta shkruan se Arbër Vllahiu, këshilltar dhe zëdhënës i presidentes ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së presidentes për ti hapur rrugë zgjedhjeve të reja presidenciale.
Nuk ka nevojë që vullnetshëm të lëshojë rrugë . Procedurat janë të qarta dhe duhet si në çdo rast tjetër të respektohet ligji dhe Kushtetuta,-tha ai.
Sipas zëdhënësit Vllahiu nuk mundet që presidenti i një vendi të deklarojë se ai është i gatshëm të dorëhiqet dhe të lëshojë rrugë sa herë ndërron raporti i forcave në Kuvend apo sa herë bëhen marrëveshjet dhe koalicionet e reja ndërmjet partive dhe subjekteve politike.
/IDEA/