E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Kemi një president, noter partiak

TIRANE-Deputeti socialist e njëherësh anëtar i kryesisë së PS-së, Arben Malaj deklaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se: Presidenti Bujar Nishani tregoi mungesë transparence e etike institucionale në shkarkimin e kreut të SHISH. Sipas tij, “shpejtësia për të miratuar një propozim të kryeministrit, të debatuar edhe publikisht, kanë cënuar kredibilitetin e z. Nishani si president i vendit”. Në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjeve të 2013, Malaj propozon që: “opozita bashkë me një përfaqësi nga partitë aleate dhe përfaqësues nga shoqëria civile, me influencë publike të takohet dhe t’i prezantojë Presidentit të vendit shqetësimet konkrete për pasojat negative të akteve të tij, në proceset politike dhe elektorale”.
Z.Malaj, pak ditë më parë, Presidenti shkarkoi kreun e SHISH-it. Nga shumë ish-funksionarë të shtetit, ky veprim u cilësua si e nxituar. Po ju si e vlerësoni?
Mandati i Presidentit është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar ndarjen dhe kontrollin e pushteteve. Pavarësisht se si zgjidhet me shumicë të cilësuar apo me shumicë të thjeshtë detyrimet dhe fuqia e tij kushtetuese janë të njëjta. Presidenti në çdo akt të tij duhet t’i përmbahet betimit kushtetues se “ do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”. Janë tre elementë të rëndësishëm të qeverisjes ku presidenti mund të ndikojë drejtpërdrejt dhe pozitivisht në zhvillimet dhe sfidat e vendit të tij. Këto janë politika e jashtme, siguria kombëtare dhe drejtësia. Në rastin konkret, mungesa e transparencës, mungesa e etikës institucionale, shpejtësia për të miratuar një propozim të kryeministrit të debatuar edhe publikisht, kanë cënuar kredibilitetin e z.Nishani si president i vendit. Shpejtësia për të plotësuar një kërkesë të paduruar të kryeministrit, mungesa e vlerësimit dhe mirënjohjes edhe publike për çdo drejtues të institucioneve kushtetuese edhe në rastet e ndryshimit të tyre kanë efekte negative në funksionimin e këtyre institucioneve dhe në kulturën tonë shtetformuese. Z.Nishani u zgjodh President me 51% te votave ndaj prioriteti tij duhet të jetë arritja e një mbështetjeje publike nga një “shumicë e cilësuar”. Presidenti duhet të synojë dhe arrijë që në mandatin e tij të ketë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Kjo mund të jetë e mundur nëpërmjet kredibilitetit që duhet të fitojë si Presidenti i gjithë shqiptarëve, por është e pamundur me shërbime “mirënjohëse” ndaj PD-së. Dy aktet e fundit lidhur me KLD dhe SHISH janë veprime në kah të kundërt dhe me efekte negative.
A shihni ju lidhje mes këtij vendimi të fundit të maxhorancës dhe debatit që u hap në këtë fund sesioni parlamentar për heqjen e imunitetit të deputetëve e zyrtarëve të lartë?
Sa më shumë PD synon të kontrollojë të gjitha pushtetet, sa më shumë presidenti i vendit rrezikon të veprojë si noter partiak, aq më shumë dëmtohet shteti ligjor, aq më të mëdha janë kostot e pushteteve të përqëndruara në pak duar, aq më shumë pengohet e ardhmja jonë. Kjo është shenjë frike dhe jo shenjë force. Kjo është ringjallje e mentaliteteve dhe eksperiencave të dështuara.
Ju deklaruat se do të ishte mirë që opozita ta votonte heqjen e imunitetit për hir të afateve të integrimit, por kjo s’ndodhi. Tani kryeministri propozoi referendum për këtë çështje, ndërsa PS kërkon që referendumi të bëhet edhe për reformën në drejtësi, kufirin detar e importin e plehrave? A mund të na jepni këndvështrimin tuaj, si mund të zgjidhet kjo?
Ndoshta disa fakte flasin vetë për dështimet tona. Serbia arriti që brenda 27 muajve nga aplikimi për anëtarësim në BE, të fitojë statusin e vendit kandidat. Mali i Zi e fitoi brenda 9 muajve. Shqipëria, kontribuesja më e madhe dhe më pozitive e paqes dhe bashkëpunimit në rajon rrezikohet që me dështimin e tretë të presë në rradhë për statusin e vendit kandidat nga 48 deri në 72 muaj. Patjetër që qeveria është përgjegjëse për këtë dështim historik, por kjo është e paplotë për ta nxjerrë vendin nga ky cikël. Ja pse shpresoja që të kishte negociata për drafte që realizonin qoftë edhe një pjesë të reformave kushtetuese, ku patjetër veç kufizimit të imunitetit duhet të përfshiheshin disa nga propozimet e PS-së. Referendumet për vendet që i kanë pjesë të kulturës së tyre politike, janë mundësia më e mirë e ushtrimit të pushtetit të drejtpërdrejtë të votuesve për çështje me interes publik. Sipas ekspertëve të së drejtës kushtetuese disa ide për referendum në vendin tonë e kanë të paqartë bazën ligjore për tu zhvilluar, ndërsa zvarritja apo spostimi i tyre pas zgjedhjeve mbetet një risk real. Tendencat për të rritur numrin e çështjeve, për të cilat mund të organizojmë referendum, dobëson prioritetet, fokusin dhe pjesëmarrjen e votuesve. Beteja e referendumeve, jo vonë do të rezultojë një zhurmë mediatike. Referendumi më i madh që mund të bëjnë shqiptarët janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Krijimi i një aleance të re kundër keqqeverisjes krijon mundësi për të ndalur zhvillimet politike negative, sidomos në kontrollin dhe keqpërdorimin partiak të institucioneve kushtetuese të vendit. Dy raste negative sapo kanë ndodhur.
Z.Malaj, po zgjedhjen në postin e nënkryetarit të KLD-së, të z.Elis Çefa, si e vlerësoni?
Ka pasur komente mbi mesazhet në fjalimin e parë të Presidentit Nishani, ku dukej se ai theksonte në mënyrë të përsëritur se do të ishte presidenti që do të fokusohej në një nga prioritetet më të mëdha të vendit, në një nga pengesat kryesore për të ardhmen tonë, pikërisht tek sistemi i drejtësisë. Pas këtij vendimi të KLD-së, Presidenti ka dëmtuar që në hapat e para kredibilitetin e tij si reformator i gjyqësorit dhe ka kontribuar në rritjen e temperaturës politike në vend. Presidenti ka krijuar që në fillim të mandatit të tij mosbesimin e opinionit publik ndaj statusit si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Me dy aktet e para z.Nishani ka dëmtuar pritshmëritë e shqiptarëve, por jo vetëm të shqiptarëve, rreth pavarësisë së tij reale. Kjo mund të ketë ndikime negative edhe në zhvillimet e ardhshme politike, duke filluar me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit, me konfigurimin e KQZ-së, duke vazhduar me pasojat e keqpërdorimit të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e një pakice sunduese brenda PD-së. Pasojat jopozitive mund të influencojnë edhe zhvillimet politike të para dhe pas zgjedhjeve parlamentare 2013.
Në të tre këto raste të fundit, si e keni parë reagimin e PS-së?
Pas fakteve konkrete se tani PD mund të keqpërdorë edhe Presidentin në funksion të nënshtrimin partiake të të gjitha pushteteve dhe në funksione të egos për pushtet të “përjetshëm”, në vend ka ndodhur një ndryshim i madh politik. Garat e ardhshme zgjedhore nuk janë më një ballafaqim vizionesh apo programesh midis PD dhe PS, por midis shqiptarëve që meritojnë më shumë liri dhe mundësi jetese më të mirë dhe një grupi të gjithpushtetshëm.
Ky ndryshim i madh kërkon një reflektim të qartë të PS-së, opozitës dhe shqiptarëve që kërkojnë dhe meritojnë më shumë liri dhe më shumë mundësi. Pa humbur kohë PS duhet të përfundojë gjithë proceset riorganizuese të saj në çdo nivel dhe për çdo strukturë të saj. Drejtimi i PS, drejtimi i opozitës së bashkuar, formimi dhe drejtimi i një aleance mbarëpopullore duhet të jetë sa më horizontal në kontaktet dhe sinergjinë pozitive që duhet të krijojë. Duhet të qartësojmë me opinionin publik dhe aleatët potencialë domosdoshmërinë e një aleance sa më të madhe për të ndalur këtë keqqeverisje dhe korrupsionin absolut që vjen nga pushteti absolute. Aleatët potencialë të majtë, të qendrës apo nga e djathta duhet të angazhohen për të krijuar një front unik, sa më të madh dhe sa më efektiv. Çdo parcelizim i organizimit dhe drejtimit të partive politike, i aleancave apo i opininit publik e bën të pamundur arritjen e këtij misioni fisnik. Ky bashkim nuk duhet të jetë një luftë emrash dhe postesh, por një përgjegjësi maksimale me prioritet numër një, ndaljen e keqqeverisjes së vendit, ndaljen e instalimit të një modeli qeverisës që do të vështirësojë të ardhmen tonë.
Cila do të jetë përgjegjësia e opozitës, në rast se BE refuzon për të tretën herë rradhazi statusin e vendit kandidat?
Dështimi do të jetë i rëndë dhe pasojat do të jenë të konsiderueshme. Fatkeqësisht dështimi ynë i rëndon vendit, i rëndon kombit shqiptar. Përgjegjësia është e maxhorancës, opozita duhet të iniciojë reforma dhe procese që e nxjerrin vendin nga ky cikël dështimesh dhe të synojë të rrisë mbështetjen publike dhe ndërkombetarë për vizionin dhe angazhimin e saj. Sa më afër Europës së Bashkuar, aq më shumë inspirim do të kemi për të ardhmen tonë, do të kemi më shumë mbështetje dhe mund të përfitojmë më shumë nga mbikqyrja për respektimin e vlerave, standarteve dhe kritereve të BE-së. Sa më gjatë në rradhë pritjeje, sa më shpesh të dështojmë, aq më të lodhur dhe aq më të zhgënjyer do të jemi. Opinioni publik dhe politika duhet të orientohet dhe angazhohet në strategjinë më pozitive që na nxjerr nga ky cikël krizash.
Z.Malaj, nisja e sesionit të ri parlamentar konsiderohet edhe si nisja e vitit elektoral për zgjedhjet e 2013? Lidhur, ndoshta edhe me këto shkarkimet e emërimet e fundit, a ka probleme për fitoren e opozitës, me vjedhje votash, etj, probleme që janë ngritur këto ditë edhe nga kolegët tuaj?
Patjetër që ka. Aktet e fundit të presidentit Nishani në lehtësimin e rritjes së pushtetit absolut të kësaj maxhorance e kanë dëmtuar ambjentin politik shqiptar. Pas këtyre akteve dhe pas agresivitetit në rritje të maxhorancës që tani ndjehet e plotfuqishme është vështirë të gjesh arsye për të shpresuar për një ambjent politik më të qetë, më bashkëpunues për sfidat e vendit si dhe të shpresosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme. I votuar apo jo nga opozita, edhe sipas Kushtetutës “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit” ndaj opozita bashkë me një përfaqësi nga partitë aleate dhe përfaqësues nga shoqëria civile, me influencë publike duhet të takohet dhe t’i prezantojë Presidentit të vendit shqetësimet konkrete për pasojat negative të akteve të tij, në proceset politike dhe elektorale. Ballafaqimi i drejtpërdrejtë me Presidentin e vendit, me opinionin publik dhe me partnerët ndërkombëtarë mund të jetë më produktiv se sa deklaratat dhe kundër deklaratat në distancë. Ky debat duhet të mbisundojë axhendën parlamentare të opozitës dhe bashkëpunimin e saj me çdo faktor që është i gatshëm t’i bashkohet aleancës kundër keqqeverisjes së vendit dhe keq përdorimit partiak të institucioneve kushtetuese.
Për çfarë ka nevojë PS, veç programit politik që thuhet se do t’ja prezantojë publikut derë më derë, për të fituar dhe për të ardhur në pushtet?
Duhet të kemi një vizion dhe strategji të re për fitoren. Përballë një gare elektorale, jo më me PD-në, por me gjithë pushtetet abuzive të PD-së, ne na duhet të punojmë për një aleancë të madhe me publikun dhe me partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare. Kjo duhet të fillojë sa më parë, me objektiva të qarta dhe veprime politike opozitare sa më influencuese. Vetëm duke e qartësuar këtë sfidë për çdo shqiptar, vetëm duke bashkuar sa më shumë shqiptarë, ne mundet që me votë të arrijmë të dalim nga kjo krizë dhe të rindërtojmë vlerat dhe institucionet e dëmtuara dhe të rifitojmë kohën e humbur.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›