PRESIDENTI + 1
Pas zbritjes me një ashensor të madh, thellë nëntokë u shfaq kryeparulla e çdo shkrimi paralajmërues vendosur përgjatë galerive: “Çdo rregull është shkruar me gjak”. Kjo do të thoshte që, pas humbjes së një jete njerëzore, rregullorja pasurohej me diçka të re, për mbrojtjen e minatorëve. Krejt ngjashëm ndodhi në pranverën e vitit 2008, për politikën mbi tokë: zgjedhja e presidentit, më 2007, gati e pat çuar vendin në një rrethanë “për t’u bërë gaz i botës”. Kjo e solli pranverën e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, shkuan në një marrëveshje bashkëpunimi, por me largësi pamjeje të ndryshme: Kryetari i socialistëve, Edi Rama, duke e pasur vështrimin të gozhduar te ngjitja në pushtet, me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, diktoi hartimin e kodit zgjedhor. Kryetari i demokratëve, Sali Berisha, me vizion përtej pushtetit, me qëllim mbrojtjen e dinjitetin të Republikës, ndjesi që shumicës i buronte edhe nga qënia në qeverisje, kërkoi një ndryshim në kushtetutë: zgjedhja e presidentit të bëhej me gjysmën e numrit të deputetëve +1. Ky arsyetim, atëherë dhe sot, qe mbipartiak sepse, po t’i kishte fituar opozita zgjedhjet më 2009, ajo kishte të drejtën kushtetuese të zgjidhte presidentin edhe me 70 + 1, ndërsa shumica që kërkoi ndryshimin, nuk do të kishte të drejtën e këmbënguljes, që presidenti të ishte një figurë e saj apo të diktonte jashtë kushtetutës, zgjedhje me 84 vota, e sipër. Po të mos ishte kryer ajo ndërhyrje në kushtetutë, gjithë vitet e bojkotit të famshëm të opozitës së majtë, do të zgjateshin si një hije e shëmtuar edhe deri në fund të korrikut a përtej, duke e rrezikuar për së treti marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, duke e bërë 100-vjetorin e Pavarësisë siç nuk do t’i kishte hije shekullit, dhe duke e dëmtuar imazhin e Shqipërisë edhe më, si një vend politik që nuk di tëmerret vesh, as për gjëra të mëdha as në mot të madh.
Thjeshtimi i formulës, le ta emërtojmë edhe si Presidenti +1, nuk e bën presidentin e ardhshëm më të pavlerë se sa pararendësit e tij. Hamendësimet nuk shpërfillen kur nxitin për arsyetim të shëndoshë: nëse presidenti do të zgjidhet me 84 vota, ai mund të mos jetë më dobiprurës se sa po të zgjidhet me 70 +1 votë. Presidenti që mund të zgjidhjet me 70+1, mund të vërtetohet gjatë pesëvjeçarit më dobiprurës se sa presidenti që mund të zgjidhej edhe me 140 vota apo dhe nga populli. Të gjitha mundësitë e kanë shpjegimin të thjeshtë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë Presidentin. Le të kujtojmë vetëm tre të fundit - Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama. Atyre, fushata marramëndëse zgjedhore, ua bëri “matjen e përmasave, prerjen e stofit dhe qepjen e kostumit”. Sapo janë futur në Shtëpinë e Bardhë, morën hijen e supershtetit, çka ne, prej së largu, nuk jemi në gjendje ta shquajmë siç duhet, dhe themi që SHBA e bëjnë presidentin, në kuptimin që, nëse një president amerikan do të ishte, le të themi, edhe çalaman, apo me një sy si ministri i dikurshëm izraelit i mbrotjes Moshe Dajan, ky cen fizik nuk do të na e kufizonte gjykimin - por kemi parë ajo çfarë bënë, ata dhe SHBA. Shqipëria nuk e bën dot presidentin bash prej vogëlsisë së vet, dhe jo për nga zvoglmi apo teprimi i të drejtave dhe detyrimeve kushtetuese. Një president shqiptar, le të themi çalaman, do të ishte i paparanueshëm, ai do të përfundonte një mandat pesëvjeçar gazmoresh e talljesh nga ne. Presidenti ynë i ardhshëm, pa asnjë cen fizik, apo edhe i pashëm, nëse do të jetë i tillë, i zgjedhur me 70 +1 apo me 140 vota, ose nuk bëhet dot president i njëmendtë e dobiprurës ose bëhet vetë, mbi bazën e aftësive vetjake dhe të grupit rreth vetes, në një vend ku politika është përplasje e ashpër.
Kushtetuta e thotë qartë - fryma e saj e jep zgjidhjen; në atë zgjidhje gjendet pikëpamja e të dy palëve; ato pikëpamje u futën në saj të marrëveshjes së përbashkët më 2008. Kushtetuta thotë që presidenti shpreh unitetin e kombit – uniteti nuk mund të quhet i plotë me 84 vota, por ai arrihet te mënyra kushtetuese e veprimit të presidentit, që provohet çdo ditë nëpër pesë vitet e mandatit. Në të vërtetë, Presidenti 70 +1, është Presidenti Antikrizë, për të mos lejuar zvarritjen politikisht të vendit. Presidenti që do të vijë, cilësohet më tepër ceremonial dhe me fuqi të kufizuara, por politika i ka mëshuar rëndshëm zgjedhjes së tij, gati sikur ai të gëzonte peshën e të zgjedhurit drejtpërdrejt nga populli. Shumica ka të drejtë kur përsërit që zgjedhja e presidentit të bëhet sipas frymës së kushtetutës. Por opozita e tejkalon të drejtën e vet duke kërkuar të bëhet vendosëse - ajo e ka dhënë konsensusin në ndryshimin kushtetues - ndërsa shumica, me negociim për zgjedhje, bën lëshime për hir të përmirësimit të klimës politike në Motin e Madh të Shqiptarëve. Këmbëngulja e opozitës, për të mos iu përmbajtur praktikisht kushtetutës, lexohet ndryshe: vështrimi i saj nuk është i mbërthyer gjithaq te presidenti, te marrja e statusit që e dështoi dy herë radhazi, te 100-vjetori i Pavarësisë që do të festohet - vështrimi i saj mbetet i gozhduar te pushteti me zgjedhjet e vitit 2013. Më shumë se zgjedhje e presidentit, politika e saj është fushatë zgjedhore e nisur një vit e ca përpara.