E Diel, 1 Nëntor 2026

Iu vra nëna para syve, masa për të rehabilituar fëmijët

Qyteti i Kukësit

Dje në fshatin Kollovoz, aty ku u vra, është varrosur me të gjitha nderimet Arze Biba, nënë e katër fëmijëve, ekzekutuar nga bashkëshorti Irfan Biba. Dy familjet, pavarësisht aktit barbar, i ka bashkuar dhimbja për jetën e humbur. Sipas zakonit vendës, ceremonia do të zgjasë pesë ditë dhe më pas fillon kalvari tjetër i dhimbjes, kujdestaria për fëmijët. Katër fëmijët janë në moshë të mitur, më e madhja, vajza në vitin e parë të shkollës së mesme në Kukës, si dhe tre djemtë, më i vogli në klasë të parë. Ata janë të pafuqishëm për të jetuar pa përkujdesje dhe kërkojnë ndihmë dhe kujdes social, pas dramës që kanë përjetuar dhe pasigurisë për të ardhmen. Mbi të gjitha janë dhe në një gjendje të rrënuar ekonomike, dhe krimi në sy të tyre pritet të lerë gjurmë gjatë. Kryetari i komunës së Shishtavecit, Dilejman Nela, që është njëherësh dhe bashkëfshatar me ta, thotë se komuna do të bëjë çështë e mundur për fëmijët, por nuk ka fuqinë e duhur.
Unë dje kam biseduar me dy palët, si të nënës, ashtu dhe të babait, por është ende herët për të marrë një vendim. Sipas zakonit vendës, njëherë do të nderohet viktima për pesë ditë. Unë jam i mendimit dhe këtë do tua them edhe familjarëve se këta fëmijë, për kushtet që kanë, për tragjedinë që kanë parë me sytë e tyre, duhet të lëvizen prej këtu, që të shpëtojnë nga varfëria dhe të integrohen jashtë kujtimeve të tmerrshme. Shërbimi social duhet të veprojë dhe ata të mos ndahen, por të grupuar tu gjendet një strehë tek institucionet përgjegjëse dhe të kenë përkujdesje sociale për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Sipas ligjeve në fuqi, dikush duhet të ketë përgjegjësinë ligjore për ta, thotë Nela. Ndërkohë mësohet se shëndeti i Irfan Bibës është drejt përmirësimit, pas operacionit në Tiranë, por gjithsesi ai është në reanimacion dhe ende nuk ka deklaruar shkaqet që e çuan në krimin makabër. Të gjithë janë të mendimit se krimin e ka kryer në një gjendje të rënduar mendore.
Biba kishte mundur që të përfundonte edhe shkollën e lartë, pa u shkëputur nga puna dhe kishte punuar ekonomist në kooperativë e më pas mësues. Presioni i punës dhe gjendja ekonomike mund të ketë rritur stresin e tij, deri në shtrimin në spitalin psikiatrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›