E Shtunë, 31 Tetor 2026

U organizua sot tenderi për Digjitalizimin e TVSH-së

Sot, pranë Ministrisë për Inovacionin dhe TIK përfundoi procedura e dorëzimit të ofertave për ndërtimin e rrjetit  digjital të  TVSH-së.

Në këtë garë u paraqitën, sipas rendit alfabetik, ofertat e kompanive si më poshtë:

ERICSSON NEC HUAWEI ROHDE & SCHWARZ

Jemi të kënaqur me paraqitjen në garë të kompanive me famë botërore në këtë fushë, çka tregon besimin  ndaj autoriteteve shqiptare dhe seriozitetin e profesionalizmin e procedurës. Kjo garë është ndërtuar me kërkesa të larta kualifikuese si në aspektin teknik dhe ligjor, ashtu edhe në atë financiar dhe zbatues. Vlerësimet gjithashtu do të jenë transparente dhe me sistem pikëzimi të shpallur në Kërkesën për Ofertë.

Kalimi nga transmetimet televizive analoge në transmetimet digjitale është një kompetencë e detyrim për tu realizuar nga Qeveria shqiptare, sepse brezi i frekuencave për transmetimet radio-televizive është një pasuri kombëtare, që, si kudo në botë, administrohet nga qeveria. Detyrimi i drejtpërdrejtë i Qeverisë është edhe koordinimi ndërkufitar i frekuencave radio-televizive. Vendimi i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU) i Gjenevës në vitin 2006, (GE-06) është detyrues për Qeverinë shqiptare, pas  ratifikimit të tij në Kuvend  në vitin 2007.

Realizimi i digjitalizimit të televizioneve duhet të bëhet brenda dy vitesh, pra afati i fundit është mesi i muajit qershor 2015. Pas këtij afati, të gjithë transmetimet analoge në Evropë janë të ndaluara, rrjedhimisht edhe vendi ynë nuk mund të mbetet pa transmetime televizive. Synimi është të mbulohet fillimisht 90% e popullsisë me transmetime digjitale. Pjesa e pambuluar e popullsisë do të shërbehet nëpërmjet transmetimit satelitor. Ashtu siç është bërë edhe në shtetet e tjera evropiane, Qeveria shqiptare do të subvencionojë  dekoderat për  familjet në nevojë.

Kjo garë ndërkombëtare bazohet në Strategjinë për Kalimin nga Transmetimet televizive Analoge ne transmetime Numerike (Digjitale) miratuar një vit më pare, në maj 2012.


13/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›