U shua ne moshen 56 vjecare, reagimet per ndarjen nga jeta te Bujar Nishanit

Ish Presidenti Bujar Nishani është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë. Nishani ishte dërguar për kurim në Gjermani por nuk arriti të mbijetonte. Lajmi i hidhur ka trishtuar ish bashkëpunëtorët e tij, të cilët me anë të reagimeve në rrjete sociale kanë shprehur ngushëllimet për familjen.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar për vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani. Përmes një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Paloka shkruan se pak më parë u konfirmua lajmi i vdekjes së Nishanit.
“Nje lajm i hidhur ka pak qe u konfirmua; Bujar Nishani, ish-President i Republikes, minister dhe funksionar ne disa poste te rendesishme te PD ne vite, ka nderruar jete!
Nje fatkeqesi per familjen dhe per gjithe demokratet.
Respekti yne per gjitheshka dha per PD dhe per vendin, do e shoqeroje kurdohere”
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shprehet se do ta kujtojë Nishanin si një njeri të urtë dhe me integritet të lartë.
“Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të afërt, Ish-Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani. Atë do ta kujtoj gjithmonë si njeri i urtë, i respektuar dhe me integritet të lartë. I bindur që do ti mungon për gjithmonë kombit. Shprehi ngushëllimet e mia familjes Nishani dhe çdo shqiptarit, kudo!”, shkruan Pacolli në Facebook.
Kreu i PPA, Agron Duka ka reaguar për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit duke i shprehur ngushëllimet familjes e miqve ndërsa thotë se është humbje e madhe për të gjithë.
“Sapo u njoftova me një lajm shumë të hidhur!!! Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u nda nga kjo jetë. Një dhimbje shumë e madhe për të gjithë që nuk do të kemi më midis nesh burrin e mençur, kolegun, mikun tonë të respektuar Bujar Nishani.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij, të afërmve, miqve dhe shokëve. Shpirti yt pushoftë në paqe. Lamtumirë mik!”, shkruan Duka.
Sot është një ditë zie për opozitën! Ky është reagimi i deputetit Gazment Bardhi për ndarjen nga jeta në moshën 56 vjeçare të ish-presidentit Bujar Nishani.
“Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie. Ndarja e parakohshme nga jeta e Presidentit Bujar Nishani na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!” shkruan Gazment Bardhi
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bledi Kasmi, njëherësh ish-kryeredaktor i RD-së, ka reaguar në lidhje me vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani.
“Sot e votova per te qene pjese e Kryesise, me shpresen se do te rikthehej prap mes nesh, por Zoti paska pasur te tjera plane per Bujarin Nishanin,nje burre shtetas dinjitoz, i thjeshte dhe demokrat me zemer te madhe.”, shkruan ai.
Tritan Shehu, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.
“Nje lajm shume i trishte na pikellon te gjitheve. Bujar Nishani ndron jete mbas nje semundje te rende. Nje humbje e madhe kjo per familjen, politiken shqiptare, PD, per te gjithe. Ngushellimet me te sinqerta rrethit te tij familjar, miqve, shokeve, bashkepuntoreve. Do ta kujtojme gjithemone me respekt dhe nderim te vecante.”
/rtsh.al/