E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA: Klubet që trukuan ndeshjet, jashtë Europianit

TIRANE-Klubet e përfshira në trukimin e ndeshjeve do të mbeten jashtë Evropës. Ky është paralajmërimi i UEFA-s, e cila do ta ketë tolerancën zero ndaj këtyre skuadrave. Së fundmi, futbolli italian u përfshi sërish në skandalin e basteve, ku u arrestuan dhe po hetohen disa persona.

UEFA po e ndjek me kujdes skandalin e trukimit të ndeshjeve në futbollin italian, i cili e përfshiu këtë vend. Shtëpia e futbollit evropian ka kërcënuar klubet që përfshihen në trukimin e ndeshjeve se nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane.

“Në statutet tona, në rregulloren disiplinore dhe në atë të kupave evropiane është qartësisht e sqaruar se një klub që përfshihet në ndeshjet e trukimit nuk mund të marrë pjesë në kompeticionet kontinentale”, tregon një zëdhënës i Federatës Evropiane të Futbollit.

Në veçanti, artikulli 2, paragrafi 04 i rregullores së Ligës së Kampionëve cek se: klubi nuk duhet të jetë i implikuar, direkt ose indirekt, në ndonjë aktivitet ose të ndikojë në një rezultat të ndeshjes së nivelit kombëtar ose ndërkombëtar.

Ndërkohë, zëdhënësi i UEFA-s ka folur edhe për rastin e futbollit italian, ku u arrestuan 19 persona dhe po hetohen shumë të tjerë. “Jemi informuar sigurisht me evoluimin e situatës në Itali, por në aspektin kombëtar nuk mund të ndërhyjmë. Kemi besim të plotë në vendimet e Federatës së Futbollit të Italisë. Kjo Federatë i përshtatet tolerancës zero të UEFA-s rreth ndeshjeve të trukuara”, shtoi ai.

Momentalisht asnjëra nga gjashtë skuadrat që do ta përfaqësojnë Italinë në garat evropiane nuk rrezikon. Gjithçka do të mësohet pas vendimeve që do të merren rreth klubeve dhe futbollistëve italianë, të cilët po hetohen. UEFA precizon se në garat që i organizon ajo, do të marrin pjesë vetëm klubet që do të jenë të pastra, të papërfshira në kurdisje.

Nëse vërtetohen dyshimet që u gjetën ditëve të fundit, atëherë ekipi që rrezikon penalizimin nga Europa League është Lazio, i cili po hetohet për ndeshjet ndaj Lecces dhe Genoas. Nëse del se ka qenë e përfshirë në ndeshjen e trukuar me Barin në sezonin 2009-2010, rrezikon pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve edhe Udinese.

(d.b/Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›